Lidhje

Diskutime SHBA-Turqi para tërheqjes amerikane nga Siria


Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA John Bolton tha se trupat amerikane nuk do të tërhiqen nga Siria pa arritjen e një marrëveshjeje me Turqinë për të mos sulmuar kurdët në Sirinë veriore. Deklarata e Presidentit amerikan Donald Trump më 19 dhjetor për një tërheqje të menjëhershme shkaktoi frikë mes kurdëve në Siri, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Turqia ka njoftuar planet për të sulmuar zonat e kontrolluara nga kurdët në Sirinë veriore duke pretenduar se kryengritësit e kësaj zone janë aleat të një grupi terrorist kurd. Zoti Bolton shkoi në Turqi në kërkim të një marrëveshjeje për kurdët që udhëhoqën një ofensivë të suksesshme të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik në Siri.

Plani për tërheqjen e 2000 trupave amerikane nga Siria ka ngritur shqetësimet se palët e tjera në konflikt mund të mbushin boshllëkun. Turqia ka njoftuar një ofensivë ndaj kurdëve dhe Rusia dyshohet se po planifikon të hyjë në zonën e pasur me naftë sapo amerikanët të largohen. Izraeli ka paralajmëruar për ndërhyrjen e Iranit. Ka patur gjithashtu paralajmërime se Shteti Islamik mund të nisë një përpjekje për të rimarrë territorin që kishte humbur.

Që atëherë, Presidenti Trump ka thënë se tërheqja do të marrë kohë.

"Ne po tërhiqemi nga Siri, do të tërheqim trupat tona, nuk kam thënë kurrë se po e bëjmë këtë shpejt. Por ne po e shkatërrojmë ISIS-in (Shtetin Islamik)”.

Presidenti Trump dërgoi këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare në Lindjen e Mesme për të diskutuar tërheqjen me aleatët rajonalë, Turqinë dhe Izraelin.

"Në kufirin tuaj kemi problemin e konfliktit në Siri. Ne do të diskutojmë për vendimin e presidentit për t'u tërhequr, por për ta bërë këtë në një mënyrë që garanton se ISIS (Shteti Islamik) është mposhtur dhe nuk do të ketë aftësinë për t’u rikthyer dhe për t’u bërë kërcënim përsëri. Ne gjithashtu duam të sigurohemi që të mos kërcënohet mbrojtja e Izraelit dhe miqve tanë të tjerë në rajon që kanë luftuar me ne kundër ISIS-it dhe grupeve të tjera terroriste", tha John Bolton, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Kurdët ishin në ballë të ofensivës në terren kundër Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara i bën ata të pambrojtur ndaj sulmeve nga forcat e qeverisë siriane dhe nga ushtria e Turqisë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka rënë dakord të shtyjë, por jo të anulojë një ofensivë, që ai thotë se ka për qëllim eliminimin e terroristëve nga Siria veriore.

"Biseda telefonike me zotin Trump, kontaktet diplomatike, ato mes njesive të sigurisë dhe njoftimet e bëra nga amerikanët bënë që ne të presim edhe për ca kohë, por kjo nuk do të jetë një periudhë e pafund pritjeje".

John Bolton tha se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nuk do të ndodh pa një marrëveshje me Turqinë për mosvrasjen e kurdëve. Ai gjithashtu u bëri thirrje kurdëve të jenë të vendosur dhe të përmbahen nga kërkimi i një marrëveshjeje me qeverinë siriane, Presidenti i së cilës, Bashar al-Assad duket se po rifiton legjitmitetin nga udhëheqësit e tjerë arabë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG