Lidhje

Tërheqja nga Siria, Bolton kërkon garanci nga Ankaraja


Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton u tha aleatëve në Lindjen e Mesme se administrata e Presidentit Trump nuk do të tërheqë forcat amerikane nga Siria veriore deri kur Turqia të japë garanci se nuk do të godasë forcat kurde, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe deri kur mbetjet e fundit të Shtetit Islamik të jenë mposhtur. Zoti Bolton e bëri këtë deklaratë disa javë pasi Presidenti Trump kishte njoftuar përmes Twitterit se do të tërhiqte “tani” trupat amerikane nga Siria.

Në mes të konfuzionit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, Presidenti Trump shfrytëzoi Twitterin për të sulmuar njoftimet në media se ai ka ndryshuar mendje nga deklarata e dhjetorit për tërheqjen e menjëhershme të trupave dhe tani thotë se do të realizohet një tërheqje “me ritmet e duhura”.

Presidenti e postoi komentin ndërkohë që Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton po zhvillonte një vizitë katër ditëshe në Izrael dhe Turqi.

Të dielën, zoti Bolton siguroi Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se nuk do të ketë tërheqje të nxituar nga Siria.

“Do të diskutojmë vendimin e presidentit për t’u tërhequr, por kjo tërheqje nga Siria verilindore do të realizohet në një mënyrë që garanton se ISIS është mposhtur dhe nuk do të jetë në gjendje të përbëjë përsëri kërcënim”.

Ish-zyrtari kurd Idris Naasan i tha Zërit të Amerikës se luftëtarët kurdë në Siri si dhe aleatët e tjerë të Amerikës ndjehen më të qetë, pasi fillimisht u gjendën të papërgatiur nga komenti i Presidentit Trump në dhjetor për një tërheqje të menjëhershme të forcave amerikane nga Siria:

“Në mesin e kurdëve sheh një farë çlirimi, pasi Presidenti Trump tha në deklaratën e fundit se nuk do të ketë tërheqje të menjëhershme nga Siria të të gjitha forcave amerikane”.

Gjatë bisedimeve sot me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, zoti Bolton pritet t’i kërkojë presidentit turk të garantojë se forcat e tij nuk do të godasin njësitë kurde, të cilat kanë luftuar përkrah Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili do të zhvillojë një vizitë një javore në Lindjen e Mesme, pritet të sigurojë aleatët se Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin këtë rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG