Studentët e universiteteve publike të Shqipërisë po vazhdojnë protestën e tyre nga fillimi i dhjetorit, duke bojkotuar auditoret.
Sot ata u konfliktuan me policinë pranë fakultetit ekonomik.
Tubimet masive po pasohen nga ngujimi i grupeve më të vogla studentësh në hollet e disa fakulteteve.
Ndërkohë në disa fakultete të tjera kanë nisur leksonet e para për këtë vit.
Studentët e fakultetit ekonomik u konfiktuan me forcat e policisë së rendit, të cilat ndërhynë me forcë të largonin të rinjtë, por ata rezistuan.
Një grup studentësh u ngujuan mbrëmë në mjediset e brendshme të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, në vazhdim të protestës së tyre me 8 kërkesa ekonomike dhe akademike.
Policia ndërhyri në çastin kur grupet e protestuesve po ndërroheshin në mëngjes për të vazhduar protestën.
Në të njëjtën kohë që policia konfliktohej me protestuesit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim mbi universitetet.
Këtë përshkallëzim të protestës studentët thonë se e ndërmorën sepse 11 vendimet e qeverisë nuk plotësuan asnjë kërkesë të tyre, se qeveria po përcjell me arrogancë dhe indiferencë protestën e tyre, ndonëse ata po protestojnë prej një muaji në rrugë dhe po bojkotojnë auditoret.
Ata shprehen se do qëndrojnë aty deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë.
Rektorati u ka bërë thirrje studentëve t’u kthehen studimeve.
Protesta dhe bojkoti në disa fakultete janë masive, ndërsa në ndonjë tjetër kanë nisur leksionet e para për këtë vit.
Facebook Forum