Lidhje

Protestuesit në Francë kritikojnë Presidentin Macron


Në Francë, protestuesit me jelekë të verdhë dhe rivalë politikë të presidentit Emmanuel Macron, u shprehën me kritika për një letër të tij të titulluar “Letër francezëve”. Ata thanë se zoti Macron nuk ka bërë sa duhet për të qetësuar zemërimin mbarëkombëtar ndaj politikave të tij.

Në letër, zoti Macron shpjegon se ai do t’i trajtojë problemet e lëvizjes anti-qeveritare me një “debat të madh”: përmes takimeve lokale në mbarë vendin, si dhe përmes një debati në internet, duke filluar nga e marta.

Sipas zotit Macron, debati do të përqëndrohet tek çështje si taksat, shërbimet publike, ndryshimet klimatike dhe demokracia.

Në një intervistë që dha në radion franceze, Minsitri francez i Arsimit Jean-Michel Blanquer, tha se letra e zotit Macron provon se “mesazhi i jelekëve të verdhë është dëgjuar. Jemi duke u përpjekur në mënyrë konstruktive që të gjejmë zgjidhje”, - tha ai.

Në letrën e tij, zoti Macron parashtron një listë me 30 çështje. Ai sugjeron që francezët të shprehin pikëpamjet e tyre, se cilat taksa duhen ulur, çfarë zgjidhjesh ka për uljen e çmimit të transportit, ngrohjens dhe ushqimeve dhe në se duhet marrë në konsideratë çështja e votimit të detyrueshëm dhe e pakësimit të numri të ligjvënësve.

Ai po ashtu përmend në letër mundësinë e paraqitjes së disa kuotave vjetore të imigracionit, duke thënë se ato nuk do të ishin të vlefshme për statusin e azilkërkuesve.

Zoti Macron thekson në letër se “nuk do të heqim dorë nga masat që kemi marrë dhe se synimi është për të inkurajuar investimet dhe rritjen e pagave.”

Udhëheqësi francez tha se debati i propozuar prej tij do ta ndihmonte qeverinë të zhvillonte politika të reja, si dhe do të forconte pozicionin e Francës në skenën europiane dhe atë ndërkombëtare.

Ky debat në Francë vjen ndërsa lëvizja e jelekëve të verdhë e muajve të fundit u gjallërua përsëri gjatë fundjavës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG