Presidenti Donald Trump deklaroi se "kurrë nuk ka punuar për Rusinë". Komentet vijnë disa ditë pasi mediat lanë të kuptohet se ai mund të jetë i kontrolluar nga Rusia dhe nga Presidenti rus Vladimir Putin. Mohimi i zotit Trump që erdhi pas pyetjeve të gazetarëve të hënën ishte në përgjigje të një shkrimi të gazetës New York Times të botuar të premten se FBI kishte hapur një hetim kundër-zbulimi nëse ai ishte duke vepruar si agjent rus kur shkarkoi zotin James Comey si drejtor të FBI-së në maj të vitit 2017.
Presidenti Trump mohoi prerazi të hënën të ketë punuar ndonjëherë për Rusinë, pasi u duk se nuk iu përgjigj pyetjes gjatë një interviste të dielën të transmetuar në rrjetin Fox News.
“Unë kurrë nuk kam punuar për Rusinë dhe ju e dini këtë përgjigje më mirë se kushdo. Jo vetëm që nuk kam punuar kurrë për Rusinë, por mendoj se është një turp që edhe ju e bëni këtë pyetje. Ky është një mashtrim i madh, i ndyrë".
Mohimi i fortë i Presidentit Trump vjen në përgjigje të një raporti të New York Times se FBI-ja filloi të hetojë nëse Presidenti po punonte në emër të Rusisë kundër interesave amerikane, pasi shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey në vitin 2017.
Gazeta The Washington Post gjithashtu raportoi se presidenti dyshohet se ka fshehur hollësitë e bisedave të tij me presidentin rus Vladimir Putin në disa takime dhe e ka bërë këtë me qëllim.
Hezitimi i presidentit për të kritikuar udhëheqësin rus dhe hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar Donald Trumpin të fitonte presidencën po merr vëmendje të ripërtërirë pas raportimeve të fundit të mediave.
"Ka shumë pyetje që ngrihen. Pse është kaq dashamirës me Vladimir Putinin?", thotë senatori demokrat Dick Durbin.
Demokratët gjithashtu kanë vënë në pikëpyetje arsyetimin për vendimet e fundit të administratës Trump për të tërhequr forcat amerikane nga aleati rus Siria dhe për të hequr sanksionet e vendosura ndaj disa bizneseve ruse.
Të hënën, presidenti denoncoi Comey dhe udhëheqjen e kaluar të FBI-së, duke i akuzuar ata se kanë punuar për të minuar presidencën e tij.
"Njerëzit që bënin këtë hetim ishin njerëz që janë kapur si të pandershëm. Mund t’i quajmë policë të ndyrë".
Shtëpia e Bardhë thotë se ka qenë më e ashpër ndaj Rusisë sesa presidentët në të kaluarën dhe ka vendosur 272 sanksione "të lidhura me Rusinë". Shtëpia e Bardhë vazhdoi të denoncojë burimet e paidentifikuara në komunitetin e inteligjencës që kanë nxjerrë informacionin në media.
Facebook Forum