Lidhje

Steve King përjashtohet nga 3 komisione të Kongresit


Udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve morën vendim të largojnë ligjvënësin Steve King nga tre komisione, si reagim ndaj komenteve të tij raciste gjatë një interviste dhënë gazetës “New York Times”. Vetë ligjvënësi amerikan, një republikan nga Ajova, e cilësoi këtë "një vendim politik, që injoron të vërtetën" sipas tij.

Vendimi kundër ligjvënësit Steve King, i cili ndodhet në mandatin e tij të nëntë, u morr të hënën vonë. Ligjvënësi veteran u kritikua nga të dyja anët e politikës. Senatorë të partisë që zoti King përfaqëson në Kongres, asaj republikane, thonë se ai duhet të japë dorëheqjen.

"Udhëheqësi i Senatit gjithashtu tha sot se Steve King duhet të gjejë një punë tjetër. Mendoj se ka absolutisht të drejtë. Mendoj se është shumë e qartë që udhëheqja e partisë është e unifikuar në qëndrimin se Steve King doli jashtë kufijve dhe se nuk duhet të shërbejë më në Kongres. " - thotë Senatori republikan Mitt Romney.

Kritikat ndaj ligjvënësit Steve King pasuan një intervistë të tij të botuar në gazetën “New York Times” javën e kaluar, gjatë së cilës ai ngrinte pikëpyetje se si shprehje të tilla si "nacionalist i bardhë, supremacist i bardhë apo qytetërim perëndimor, mund të konsideroheshin fyese”.

Në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve King tha se fjalët e tij ishin keqintepretuar.

“Vlerat e Amerikës janë shprehur në dokumentet themeluese të vendit tonë, që mund t’i lexojë kushdo. Ne jemi krenarë që njerëzit e të gjitha racave, feve e besimeve nga e gjithë bota përpiqen t'i arrijnë dhe unë jam i përkushtuar që Amerika të vazhdojë në këtë drejtim. Kjo bindje nuk më bën një nacionalist apo një supremacist të bardhë. Pra edhe një herë, i hedh poshtë këto lloj etiketimesh. Ideologjia që ata përcaktojnë, siç e thashë edhe për New York Times-in, nuk ka të bëjë me racën, nuk ka pasur kurrë të bëjë me të”.

Qëndrimi kritik ndaj intervistës së ligjvënësit Steve King lidhet me komente të tij të mëparshme. Në vitin 2006 ai i pati krahasuar imigrantët me bagëti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG