Lidhje

Presidenti Trump paraqet strategjinë e re kundër raketave


Presidenti Donald Trump paraqiti dje strategjinë e re për mbrojtjen ndaj raketave, e cila ishte rishikuar për herë të fundit në vitin 2010. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, njofton rreth detajeve të këtij sistemi të ri dhe se si hapësira mund të jetë vija e ardhshme e mbrojtjes.

Presidenti Donald Trump vizitoi Pentagonin ku paraqiti planin, për të cilin tha se do të lërë pas kundërshtarët e Amerikës.

“Qëllimi ynë është i thjeshtë. Të sigurohemi se mund të gjurmojmë dhe shkatërrojmë çfarëdolloj rakete të lëshuar kundër Shteteve të Bashkuara nga kudo, në çdo kohë dhe në çdo vend”, tha Presidenti Trump.

Strategjia për mbrojtjen nga raketat fokusohet tek kërcënimet nga fuqitë konkurruese, si Kina dhe Rusia, së bashku me vende të tjera si Koreja e Veriut dhe Irani.

“Ne i vëzhgojmë veprimet e konkurrentëve tanë dhe po marrim masat”, tha Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan.

Plani shton 20 interceptorë të rinj tokësorë në territorin amerikan për të rrëzuar raketat hyrëse, si dhe nxit zhvillimin e teknologjisë hipersonike me shpejtësi pesë herë më shumë se shpejtësia e zërit. Gjithashtu, strategjia kërkon që të shqyrtohet opsioni i mbrojtjes nga raketat në hapësirë, duke synuar gjurmimin dhe shkatërrimin më herët të raketave të lëshuara nga vendet armike.

Ideja u zhvillua për herë të parë nga Presidenti Ronald Reagan gjatë viteve 1980-të, duke u mbiquajtur në atë kohë “lufta e yjeve”.

Strategjia e re kundër raketave u paraqit ndërsa zyrtarë të Koresë së Veriut gjenden në Uashington për të diskutuar rreth një samiti të dytë mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un.

Presidenti Trump iu kundërvu kritikave duke thënë se detyra e tij kryesore si president është të mbrojë Shtetet e Bashkuara

“I jemi përkushtuar ngritjes së një programi mbrojtjeje nga raketat që do të mbulojë çdo qytet të Shteteve të Bashkuara dhe nuk do të heqim kurrë dorë nga kjo e drejtë”, tha Presidenti Trump.

Strategjia bën thirrje për rritjen e aftësive mbrojtëse rajonale në mbarë globin. Kjo mund të irritojë negociatorët koreanoveriorë, të cilët e shohin si një provokim sistemin amerikan anti-raketë në gadishullin korean.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG