Lidhje

Demokratët refuzojnë ofertën e presidentit


Mbyllja e pjesshme e qeverisë ka hyrë në javën e pestë dhe nuk duket se do të përfundojë së shpejti, ndërkohë që demokratët nuk e pranuan ofertën e Presidentit Trump për mbrojtje të kufizuar dhe të përkohëshme për disa imigrantë në Shtetet e Bashkuara, në shkëmbim për miratimin e fondeve për të ndërtuar një barrierë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Ndërkohë që vazhdon ky ballafaqim mes dy palëve politike, qindra mijëra punonjës federalë rrezikojnë të mos paguhen përsëri këtë javë:

Presidenti Donald Trump ka ofruar zgjatjen për tre vjet të programeve që mbrojnë nga deportimi të rinjtë që u sollën ilegalisht në moshë të mitur në Shtetet e Bashkuara, të njohur si Ëndërrimtarët.

“Nëse kemi sukses në këtë përpjekje, do të kemi shansin më të mirë prej shumë kohësh për të realizuar një reformë të mirëfilltë, dypartiake,” tha presidenti.

Demokratët kërkojnë mbrojtje të përhershme për të gjithë Ëndërrimtarët, jo vetëm për ata që u regjistruar për mbrojtje nën programin DACA të administratës Obama. Demokratë me peshë thonë se propozimi i presidentit është i papranueshëm:

“Donim miratimin e një mase që do t’u mundësonte të gjithë Ëndërrimtarëve të merrnin një ditë shtetësinë amerikane. Presidenti po u jep vetëm një pjese të vogël prej tyre mbrojtje të përkohëshme. Nëse ai vërtetë do të punojë për një reformë të përgjithshme për imigracionin, le të hapë qeverinë e të ulet me udhëheqësit demokratë për të arritur ato që duhen bërë,” tha Senatorja demokrate Kirsten Gillibrand.

Vjet, Presidenti Trump mori vendim për të mbyllur pikërisht këto programe që tani po i zgjat duke u kërkuar demokratëve të pranojnë ofertat e tij në shkëmbim për këtë lëshim. Senatori demokrat Chris Murphy komentoi në Twitter: “Mendoni sikur dikush të ngiste kamionin dhe me qëllim të godiste banesën tuaj dhe pastaj të ofronte ta rregullonte dëmin nëse e paguani 5 miliardë dollarë. Si do ju dukej?”

Për republikanët, refuzimi kategorik i demokratëve ndaj idesë së barrierave të reja në kufi është një veprim shtangës dhe hipokrit, pasi një numër administratash demokrate e republikane në dekadat e fundit kanë miratuar barrirera në kufi.

“Presidenti Clinton ngriti gardh në kufi. Presidenti Gorge Herbert Walker Bush ngriti gardh; djali i tij, Presidenti Bush ngriti gardh. Presidenti Obama ngriti gardh në kufi. Këto nuk shiheshin si veprime imorale. Presidenti Trump është shprehur shumë qartë. Ai ka kërkuar një barrierë me shufra metali, me 376km gjatësi në një vijë kufitare prej 3200km. Pra vetëm në zonat më me përparësi,” tha Senatori republikan James Langford.

Kur të mblidhet përsëri Kongresi, Senati i kontrolluar nga republikanët dhe Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët do të marrin përsëri në shqyrtim projektbuxhete që nuk pritet të miratohen në Dhomat reciproke të Kongresit. Në këto kushte kur Kongresi ndodhet në një ngërç politik dhe Shtëpia e Bardhë nuk duket e gatshme për kompromis, të pakta janë shpresat për të hapur së shpejti qeverinë, apo për të paguar mbi 800 mijë punonjës federalë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG