Avokati i ish-marinsit amerikan Paul Whelan, i burgosur në Rusi nën akuza për spiunazh, thotë se klienti i tij nuk kishte dijeni se një USB që iu dha në dhomën e tij të hotelit para se të arrestohej, përmbante sekrete shtetërore. Sot, një gjykatë e Moskës refuzoi t’i japë zotit Whelan lirim me dorëzani dhe avokati i tij tha se ai ishte viktimë e një kurthi.
Avokati i zotit Whelan, Vladimir Zherebenkov tha se klienti i tij besonte se i ishte dhënë një USB që përmbante foto dhe materiale të tjera nga udhëtimet e tij të mëparshme në Rusi. Ai tha se Whelan nuk kishte asnjë ide se USB-ja përmbante informacione të klasifikuara:
"Paul-it iu dha një USB që përmbante informacione të klasifikuara si sekret shtetëror. Ai duhet të merrte nga një person informacion që nuk ishte i klasifikuar: gjëra kulturore, udhëtim në një katedrale, fotografi", tha avokati.
Gjykata ia mohoi ish-marinsit lirimin me dorëzani, duke e mbajtur në gjendje arresti për spiunazh.
48-vjeçari Paul Whelan, me shtetësi amerikane dhe britanike, u arrestua më 28 dhjetor për atë që Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB) e quajti "vepër spiunazhi", pa specifikuar saktësisht akuzën.
Familja thotë se Whelan është i pafajshëm.
Avokati i tij e quajti gjykimin konstruktiv, duke thënë se klientit të tij iu dha mundësia për t’u mbrojtur dhe për të hedhur poshtë akuzat.
Ka spekulime se rusët mund të përpiqen ta përdorin ish-marinsin Whelan për lirimin e ruses Maria Butina, e cila u vetëshpall fajtore për depërtim në lëvizjen politike konservatore amerikane si agjente e Kremlinit.
Kremlini e ka hedhur poshtë idenë se Whelan po mbahet nën arrest për një shkëmbim të mundshëm me rusen Butina.
Facebook Forum