Lidhje

Senati do të votojë mbi planet për të hapur qeverinë


Udhëheqësit demokratë dhe republikanë në Senatin amerikan ranë dakord të martën për të planifikuar votimin mbi projektpropozimin e Presidentit Donald Trump për financimin e ndërtimit të murit, si dhe një projektpropozim të miratuar më parë nga Dhoma e Përfaqësuesve, që mundëson funksionimin e plotë të qeverisë deri me 8 shkurt. Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se votimi për të dy propozimet do të zhvillohet të enjten, një ditë para ditës së pagave për punonjësit federalë. Ka gjasa që ata përsëri të mos paguhen, hera e dytë që nga mbyllja e pjeshme e qeverisë me 22 dhjetor. Siç na njeh materiali në vazhdim, nëse dy projektpropozimet miratohen, qeveria do të fillojë menjëherë funksionimin e plotë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi vizitoi organizatën jofitimprurëse “World Central Kitchen” që ofron ushqim në raste të fatkeqësive natyrore. Ajo u takua atje me disa punonjës federalë të prekur nga mbyllja e pjesshme e qeverisë. Eksperti i njohur i kuzhinës Jose Andres ofron ushqim falas për punonjësit e qeverisë që nuk marrin pagat. Para vizitës, zonja Pelosi u tha gazetarëve se demokratët nuk do të votojnë planin e Presidentit Trump pa u rihapur qeveria.

“Nuk duhet të ndodhë që presidenti, sa herë që ka kundërshtime, të thotë se do të mbyllë qeverinë derisa të pajtoheni me mendimin tim. Duhet të kuptoni që kjo është një pjesë e problemit. Nëse i mbajmë peng punonjësit tani, ata do të mbeten peng përgjithmonë.”

Demokratët në Kongres po ashtu hodhën poshtë ofertën e zotit Trump për të zgjeruar mbrojtjen ligjore për imigratët pa dokumente të sjellë në Amerikë në moshë të mitur, duke theksuar se ishte ai që kishte hequr mbrojtjen e njohur si DACA. Senatori Chuck Schumer është udhëheqës i pakicës demokrate.

“Është si të bësh pazar me mallra të vjedhura.”

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se votimi mbi propozimit e presidentit do të zhvillohet të enjten.

“Që të refuzojnë propozimin, demokratët do të duhet t’i japin përparësi luftës politike me presidentin para punonjësve federalë, para përfituesve të DACA-s, para sigurisë së kufirit dhe para financimit të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të qeverisë.”

Gjykata e Lartë nuk mori asnjë vendim për DACA-n të martën mbi ligjshmërinë e vendimit të administratës për dhënien fund të saj, duke dobësuar fuqinë negociuese të presidentit.

Mbrëmjen e së martës, zoti McConnell tha se Senati do të votonte për të dy projektpropozimet e partive për hapjen e qeverisë. Vendimi shënon një ndryshim për senatorin i cili ka thënë se nuk do të lejonte votime për masa që nuk do të nënshkruheshin nga presidenti.

Që të miratohen, të dy projektpropozimet kanë nevojë për 60 vota. Nëse ato nuk marrin mbështetjen e nevojshme nga të dy palët, më shumë punonjës të qeverisë do të varen nga ushqimi falas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG