Lidhje

Lirim me kusht për Roger Stone


Ish-bashkëpunëtori i Presidentit Trump, Roger Stone thotë se ai beson që arrestimi i tij në kuadër të hetimeve mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës është “i motivuar politikisht”. Zoti Stone u shpreh se do të deklarojë pafajësinë dhe do t’u kundërvihet akuzave. Ai bëri komente për gazetarët pasi u lirua nga paraburgimi në Florida të premten, disa orë pas arrestimit. Mbi të rëndojnë akuzat për pengim të drejtësisë, presion mbi dëshmitarë dhe dëshmi të rreme para Kongresit.

Zoti Stone thotë se është akuzuar bazuar në informata fallso. Ai thotë se çdo mospërputhje që është vërejtur në dëshminë e tij para Kongresit nuk ka qenë e qëllimtë.

Agjentë të FBI-së e arrestuan Roger Stone para agimit në banesën e tij në Fort Loderdejl në Florida. Ai tha se do të ishte dorëzuar vullnetarisht nëse do ta kishin thirrur.

Gjykatësi e liroi kundrejt një garancie financiare prej 250 mijë dollarësh. Çështja e tij gjyqësore do të transferohet tani në Uashington.

Roger Stone, aleat i vjetër dhe këshilltar i Presidentit Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore, u arrestua sot nën akuzat për pengim të drejtësisë, manipulim të dëshmitarëve dhe deklarata të rreme, siç thuhet në aktpadinë e bërë publike nga zyra e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller. Zoti Stone dyshohet si hallkë lidhëse mes fushatës Trump dhe portalit Wikileaks që publikoi emailet dhe informacione të tjera të dëmshme për demokratët gjatë zgjedhjeve të 2016-s.

Roger Stone, i cili ka thënë disa herë gjatë intervistave se kishte shumë gjasa që të përballej me akuza, do të përballet zyrtarisht me akuzat sonte, kur të paraqitet në gjykatë në Fort Loderdejl të Floridës, njofton zyra e Prokurorit Mueller.

Roger Stone ka qenë nën hetime për rolin e tij gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump, kur pat lënë të kuptohet se kishte informata të grumbulluara nga hakerë, të cilat mund t’i vinin në pozitë të vështirë demokratët, përfshirë rivalen e zotit Trump, Hillary Clinton. Ai e pat sulmuar haptazi procesin hetimor lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhje, duke e quajtur një teori konspiracioni e demokratëve:

"Mendoj se pjesa më e madhe e amerikanëve tani e kuptojnë se akuzat për bashkëpunim të fshehtë me Rusinë janë sajuar thjesht për të larguar vëmendjen nga probleme më serioze të abuzimit të pushtetit kur administrata Obama përdorte autoritetin dhe kapacitetet e shtetit përmes Ligjit për Survejim për të përgjuar fushatën e Donald Trumpit për president,” pat thënë Roger Stone, në përgjigje të akuzave që qarkullonin për lidhjet e fushatës Trump me rusët.

Sipas aktpadisë, zoti Stone kishte biseduar me zyrtarë të lartë të fushatës Trump lidhur me “Organizatën 1” dhe informacionin e dëmshëm që mund të kishte “kjo organizatë për fushatën Clinton”. Sipas përshkrimit, besohet se fraza “Organizata 1” nënkupton portalin Wikileaks, i cili publikon informacione sekrete e dokumente qeveritare të siguruara në mënyrë të paligjshme nga burime anonime.

Po sipas aktpadisë, Roger Stone “ka ndërmarrë veprime për të penguar” hetimet e komisioneve të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës.

Prokurorët thonë në dokumentet e akuzës se zoti Stone “kishte dërguar e marrë një numër mesazhesh me email dhe SMS gjatë fushatës së 2016-ës, ku fliste për Organizatën 1, kreun e saj dhe emailet e hakeruara që kishte në zotërim kjo organizatë”. Në aktpadi prokurorët thonë se zoti Stone kishte ende në zotërim një pjesë të këtyre emaileve kur u pyet nga hetuesit, por ai dha dëshmi të rreme në përgjigjet e tij.

Aktpadia që mban datën e djeshme e akuzon zotin Stone për veprën penale të pengimit të drejtësisë në një rast, deklarata të rreme në pesë raste të ndryshme dhe manipulim të një dëshmitari. Sipas aktpadisë, ai është përpjekur të bindë një dëshmitar të japë dëshmi të rreme dhe të mos japë të gjithë informacionin gjatë procesit hetimor nga komisionet e Kongresit.

Avokati i zotit Stone u kontaktua nga agjencia e lajmeve Reuters lidhur me arrestimin e klientit të tij, por nuk pranoi të komentonte.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG