Lidhje

SHBA, punonjësit federalë rikthen në punë


Punonjësit federalë u rikthyen në punë pasi javën e kaluar iu dha fund mbylljes më të gjatë të agjencive qeveritare në historinë e Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump nënshkroi një projektligj që financon qeverinë për tre javë, që do të thotë se agjencitë qeveritare mbeten ende nën kërcënimin e një tjetër mbylljeje, në një kohë kur mes Presidentit dhe demokratëve të Kongresit ka ende mosmarrëveshje për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit amerikan me Meksikën.

Agjencitë e mbyllura u rigjallëruan edhe një herë me rikthimin e punonjësve federalë, të cilët humbën pagën e një muaji.

"Na kanë thënë të paraqitemi në punë të hënën në mëngjes më 28."- thonë Bridget e Liddy Cleary, punonjëse federale.

Por Presidenti Donald Trump këmbëngul se nuk ka hequr dorë nga kërkesa e tij për ndërtimin e një muri në kufirin e vendit me Meksikën.

"Asnjë plan sigurie për kufirin nuk do të funksiononte kurrë pa një pengesë fizike, thjesht është e pamundur….Nëse nuk arrijmë në një marrëveshje të ndershme me Kongresin, qeveria ose do të mbyllet sërisht më 15 shkurt, ose unë do të përdor fuqitë që më janë dhënë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara për ta zgjidhur këtë emergjencë.”- tha Presidenti.

Demokratët u zotuan sërisht të negociojnë një paketë mbi sigurinë kufitare me presidentin dhe ligjvënësit republikanë. Ata thonë se janë të hapur të rrisin burimet njerëzore e teknologjike, pra pothuajse për çdo çështje që lidhet me sigurinë në kufi, përveç kërkesës së zotit Trump për ndërtimin e një muri.

"Ai premtoi se për murin do të paguante Meksika. Nuk ia doli që ta bindë Meksikën të paguajë dhe kështu që vendosi ta marrë përgjegjësinë dhe me krenari të mbyllë qeverinë.”- thotë ligjvënësi demokrat Ted Lieu

Amerikanët e shohin situatën në këndvështrime të ndryshme.

"Shpresojmë që Donald Trump t’i mbahet qëndrimit të tij dhe muri në kufi të ndërtohet. Unë jetoj në Arizona dhe ka shumë persona të paligjshëm që vijnë nga kufiri. E mbështes Presidentin 100 për qind. Pra, shpresoj që ai ta kalojë këtë situatë, t’i mbahet qëndrimit të tij dhe të bëjë përpara." thotë Robert Baxter, banor i Arizonës

"Ne jemi kundër murit kufitar. Një mur i tillë është një simbol i urrejtjes, ksenofobisë dhe nuk është zgjidhje. Ne besojmë se Presidenti Trump po e humbet këtë betejë dhe komunitetet tona qëndrojnë me forcë kundër ndërtimit të këtij muri."- thotë Fernando Garcia, aktivist i emigracionit në Teksas.

Tani për tani qeveria do të qëndrojë e hapur, por beteja mes partive vazhdon.

"Nuk mbështes asnjë fond për murin, por mbështes sigurinë e kufirit", thotë ligjvënësi demokrat Adan Schiff, demokrat

"Demokratëve nuk u intereson muri, ndërsa kanë votuar për ndërtimin e një muri prej më shumë se 550 km (350 milje) vetëm pak vite më parë. Ata urrejnë Trump-in dhe duan vetëm që ta mundin atë."- thotë senatori republikan Ted Cruz

Presidenti Trump vazhdon të kërcënojë se do ta anashkalojë Kongresin duke shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare, si dhe duke urdhëruar ndërtimin e barrierave kufitare në rast se negociatat me demokratët dështojnë. Një veprim i tillë do të nxiste zemërimin e demokratëve, pakënaqësi në radhët e republikanëve, si dhe ngritjen e padive me qëllimin për të bllokuar vendimin e presidentit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG