Lidhje

Takimi SHBA-Kore e Veriut në Vietnam


Presidenti Donald Trump njoftoi të martën gjatë fjalimit të tij mbi gjendjen e vendit se do të takonte udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në Vietnam më 27-28 shkurt.

"Si pjesë e një diplomacie të re të guximshme, ne vazhdojmë përpjekjet tona historike për paqen në gadishullin Korean," tha presidenti Trump.

Në fjalimin e tij, Presidenti pranoi gjithashtu se rruga drejt çnuklearizimit mbetet e gjatë. "Ka ende shumë punë për t'u bërë, por marrëdhënia ime me Kim Jong Unin është e mirë", tha presidenti.

Njoftimi zyrtar i takimit të dytë të nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut u dha ndërsa Koreja e Jugut festonte Vitin e Ri Hënor. Megjithëse zyrat e qeverisë ishin të mbyllura për festën kombëtare, zëdhënësi presidencial i Koresë së Jugut, Kim Eui-kyeom tha se Seuli shpresonte që të dyja vendet do të shënojnë përparim kur të takohen më vonë këtë muaj.

Duke folur për gazetarët Kim Jong Un tha: "Vietnami dhe Shtetet e Bashkuara dikur i drejtonin armën dhe thikën njëri-tjetrit, por tani janë miq. Ne presim që Vietnami të jetë vendi më i mirë për të organizuar takimin, ku Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara pritet të shënojnë një moment historik".

Rëndësia e Vietnamit

Shpallja e datës dhe vendit të takimit nga presidenti Trump nuk ishin surprizë. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo kishte konfirmuar më parë se Presidenti Trump do të takonte presidentin Kim në fund të shkurtit në Azi.

Megjithatë, analistët i thanë Zërit të Amerikës se kohëzgjatja e takimit të ardhshëm dhe vendndodhja e tij kanë një kuptim të veçantë.

Profesori i Studimeve Koreane në Universitetin Tufts, Sung-yoon Lee, thotë se ndërsa Saigoni po binte në vitin 1975, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Il Sung "vizitoi Pekinin dhe i kërkoi Mao Ce Dunit dhe zyrtarëve të tjerë ta ndihmonin atë të bënte të njëjtën gjë që po bënte Hanoi... pasi Shtetet e Bashkuara u detyruan të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje dhe të largoheshin".

Ai tha, "Vietnami është modeli i përsosur për regjimin Kim."

Profesori Lee thotë se presidenti Trump në thelb është duke thënë, "Shikoni Vietnamin. Ne (Shtetet e Bashkuara) kishim një marrëdhënie shumë të keqe me Vietnamin në të kaluarën, por tani i kemi rregulluar gjërat", duke shtuar," Vietnami ka mbetur diktaturë komuniste vetëm një partiake, por është rritur dhe pasuruar ekonomikisht. Ju gjithashtu mund të bëni të njëjtën gjë. "

Harry Kazianis në Qendrën për Studimet e Interesit Kombëtar të Koresë, thotë se kohëzgjatja e samitit të ardhshëm është për t’u pasur në vëmendje dhe mund të tregojë "diçka të madhe".

"Unë mendoj se po punohet për një deklaratë paqeje," tha zoti Kazianis. "Mendoj gjithashtu se koreano-veriorët kanë qenë shumë seriozë dhe u kanë dërguar sinjale Shteteve të Bashkuara, Seulit, dhe kudo tjetër ku dëgjohen, se duan njëfarë lehtësimi të sanksioneve".

Si dëshmi për të mbështetur teorinë e tij, Kazianis vë në dukje komentet e bëra javën e kaluar nga përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Korenë e Veriut, Stephen Biegun.

"Eshtë gjithnjë e më urgjente që të angazhohemi në mënyrë diplomatike me Korenë e Veriut për të parë nëse mund ta ndryshojmë trajektoren e politikave të tyre, duke ndryshuar trajektoren tonë. Këtë po përpiqemi të bëjmë ", tha zoti Biegun në një fjalim në Universitetin e Stanfordit.

Analisti Kazianis thotë se "e parë nga një këndvështrim i logjikshëm", për të nxitur Korenë e Veriut drejt çnuklearizimit, "nevojitet një reagim reciprokimi ku veprimi i njërës palë pasohet nga reagim i palës tjetër", dhe komentet e zotit Biegun duket se tregojnë një ndryshim në politikën amerikane.

Në komentet e tij, megjithatë zoti Biegun theksoi se, "Presidenti Trump ia ka bërë të qartë, si Koresë e Veriut, ashtu edhe ekipit tonë se ai pret përparim të dukshëm dhe të verifikueshëm në çnuklearizim - veprime që janë të guximshme dhe reale që duhet të dalin nga takimi i ardhshëm i nivelit të lartë".

Por zoti Lee e sheh me shqetësim thënien e zotit Biegun se, "Presidenti Trump është gati për t'i dhënë fund kësaj lufte. Ajo ka mbaruar. Ne nuk do të pushtojmë Korenë e Veriut. "

Analisti Lee thotë se ndërsa Lufta Koreane nuk përfundoi me një traktat formal të paqes në vitin 1953, kjo nuk do të thotë se gadishulli ka qenë në një gjendje të vazhdueshme lufte, por më tepër në "paqe të papërsosur".

“Të thuash se duhet ta përfundojmë këtë luftë, tani pas 70 vjet armiqësie është si të biesh në duart e Kim Jong Unit, sepse ky është fjalori i përdorur nga Koreja e Veriut", thotë analisti Lee, duke shtuar se situata paqësore që ka ekzistuar është arritur përmes politikës së frenimit të luftës.

Nëse Shtetet e Bashkuara do të iniciojnë një marrëveshje paqeje me Korenë e Veriut, Lee thotë se pikërisht këtë kërkon Kim Jong Uni dhe i jep atij epërsi në bisedime.

Zoti Kazianis nuk pajtohet, duke vënë në dukje se presidentët Kim dhe Trump do të jenë nën vëzhgimin e popujve të tyre.

"Duhet të kërkosh një rrugë për ta ambalazhuar e etiketuar këtë samit në mënyrë të tillë ku të dyja palët të dalin fitimtare", dhe për zoti Kazianin, kjo do të thotë fundi i Luftës Koreane.

Pretendimet e luftës

Gjatë fjalimit të tij mbi gjendjen e vendit presidenti Trump tha, "Po të mos isha zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, për mendimin tim, tani do të ishim në një luftë të madhe me Korenë e Veriut".

Analisti Lee thotë se ky pohim i Presidentit është i pavërtetë, "Sepse të gjithë thonë se Lufta Koreane përfundoi më 27 korrik 1953, jo me një traktat formal paqeje, por me një marrëveshje për armëpushim".

Zoti Kazianis thotë se kur presidenti Trump bëri komente, si për shembull më 8 gusht 2017 kur tha se "Koreja e Veriut bën mirë të mos bëjë më kërcënime ndaj Shteteve të Bashkuara. Ne do të përgjigjemi me zjarr dhe furi sikurse nuk është parë asnjëherë në botë", ai, thotë Kazianis “ndezi tensione".

Analisti shton se duke parë ndërveprimet mes Uashingtonit dhe Phenianit nga mesi i viteve 2000, të dy vendet ishin në të njëjtën trajektore, ku Koreja e Veriut bënte prova me raketa balistike ndërkontinentale, të cilat përfundimisht krijuan disa "probleme në vitin 2017".

Por "Nëse Hillary Clinton do të kishte fituar zgjedhjet e vitit 2016," thotë analisti Kazianis, "ka shumë hulumtime arkivore ... që çojnë në përfundimin se ajo do të ndiqte një linjë edhe më të ashpër kundër Koresë së Veriut. Por unë nuk mendoj se ajo do të bënte thirrje për zjarr dhe furi apo deklarata të tjera shumë të ndezura si këto që kemi dëgjuar”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG