Në Shqipëri reforma zgjedhore po shënon vonesa të dukshme dhe po bëhet pengesë për zgjedhjet e qershorit. Ekspertët dhe vëzhguesit vendorë shprehin shqetësim për vonesat dhe bëjnë thirrje për shpejtimin e procesit të reformave. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ilirian Agolli njofton nga Tirana:
Vonesat në kryerjen e reformës zgjedhore po vështirësojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të qershorit. Kështu pohuan sot ekspertë të pavarur dhe vëzhgues vendas të proceseve zgjedhore shqiptare.
Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike Gerta Meta thotë se “reforma zgjedhore duhet të ishte kryer para dekretimit të datës së zgjedhjeve, pra, së paku 6 muaj para zgjedhjeve, ndërsa Komisioni i Venecias shprehet se ndryshimet ligjore duhen bërë një vit para zgjedhjeve”.
Ekspertët janë skeptikë se partitë politike kryesore nuk do ta realizojnë depolitizimin e komisioneve dypalëshe, sic është rekomanduar vazhdimisht.
As ky rekomandim as disa grupe rekomandimesh nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë nuk janë përmbushur qysh prej 8 vjetësh.
Ekspertët mendojnë se Presioni dhe mesazhet e ndërkombëtarëve duhet të jenë më të ashpër dhe më të drejtpërdrejta, sepse për fat të keq politikanët shqiptarë vetëm kështu reagojnë.
“Reforma zgjedhore duhej të ishte mbyllur në muajin shtator, po mbledhja e fundit e komisionit dypalësh të reformës zgjedhore u mbajt më 9 dhjetor vetëm me antarët e njërës parti politike” - tha Kristaq Kume, drejtues I Institutit për zhvillimin e demokracisë dhe sistemeve zgjedhore.
Mungesa e bisedave të hapura mbi reformën zgjedhore, dhe aq më pak mungesa e kompromisit politik për të rregulluar Kodin Zgjedhor po pengojnë përpjekjet për të përmirësuar aspektet teknike të procesit zgjedhor si elektronika në votim ose në numërim, trajnim të komisioneve ose blerje pajisjesh të domosdoshme.
Zgjedhjet vendore nisën qysh tani me cënim të standarteve demokratike, pohojnë ekspertët. Zvarritjet e reformës zgjedhore, mungesa e vullnetit politik dhe rritja e tensioneve mes partive, vërejnë studiuesit, pritet të dëmtojnë procesin zgjedhor dhe mund të ulin standartin e zgjedhjeve normale të kërkuar nga ndërkombëtarët.
Facebook Forum