Lidhje

Shpallet data e zgjedhjeve presidenciale për Maqedoninë e Veriut


Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, nënshkroi të premten akt-vendimin për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale. Këto zgjedhje do të mbahen më 21 prill, ndërsa raundi i dytë më 5 maj. Nuk ka pasur rast që nga pavarësia e Maqedonisë që presidenti të fitojë garën qysh në raundin e parë, prandaj dhe me shpalljen e zgjedhjeve njoftohet edhe data e mbajtjes së balotazhit.

Zoti Xhaferi tha se në periudhën që vjen, Republika e Maqedonisë do ta japë testin e kapacitetit dhe pjekurisë. “Zgjedhje të drejta dhe demokratike janë një nga kushtet, sipas të cilave do të na vlerësojnë dhe notojnë. Prandaj, apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në garën zgjedhore presidenciale në vijim, partitë politike dhe te Ju, qytetarë, të bëjmë përpjekje maksimale që Republika e Maqedonisë të ketë përsëri zgjedhje, siç i kanë hije një shteti evropian, demokratik, për realizimin e aspiratave strategjike euroatlantike dhe për të mirën e qytetarëve”, tha Z. Xhaferi.

Bashkë me zgjedhjet presidenciale do të mbahen edhe zgjedhjet e parakohëshme lokale në Dibër të Madhe, Ohër dhe Novo Sellë, për shkak të vdekjes së kryetarëve të këtyre komunave.

Të premten, Parlamenti i Maqedonisë i zgjodhi edhe anëtarët e rinj të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave, një organ ky pa të cilin nuk mund të mbahej procesi zgjedhor.

Deri tash, partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se janë tetë kandidatë në garë të brendshme të partisë, nga të cilët njëri do të marrë mbështetjen në Kongres për kandidat për president të vendit. Sipas medias dhe analistëve, profesoresha universitare Gordana Siljanovska pritet të ketë mbështetjen e drejtuesve të partisë, ndërsa deputeti Vllatko Gjorçev gëzon mbështetjen e anëtarësisë së partisë.

Lidhja Social Demokrate ende nuk ka vendosur për kandidatët e saj. Emrat e Radmilla Sheqerinskës, Zv. Kryeministre dhe Ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovskit, Zv. Kryeministër dhe Ministër i Rendit, Stevo Pendarovskit, Bashkërendues Kombëtar për në NATO dhe i Nikolla Dimitrovit, Ministër i Jashtëm, lakohen në media dhe ata vetë nuk kanë mohuar interesin për t’u futur në garë.

Partitë shqiptare ende nuk kanë vendosur për emrat e garuesve të tyre. Bashkimi Demokratik për Integrim duket se ka hequr dorë nga synimi për një kandidat të përbashkët, konensual me Lidhjen Social Demokrate të koalicionit qeveritar, pasi kjo e fundit nuk shfaqte interes për emrat e nxjerrë jozyrtarisht në publik nga BDI-ja për garën presidenciale e që ishin: Denko Malevski, ish-Ministër i Parë i Jashtëm i Maqedonisë, akademikët Vllado Popovski dhe Luan Starova dhe ambasadori Llazar Elenovski.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG