Lidhje

Venezuelë, Guaido kërkon mbështetje për çështjen e ndihmave humanitare


Juan Guaido, i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera si Presidenti i përkohshëm i Venezuelës, u ka bërë thirrje studentëve për mbështetje në një përpjekje për të futur në vend ndihmën humanitare të bllokuar në Kolumbinë fqinje.

Një ditë pasi paralajmëroi ushtrinë se moslejimi i hyrjes së kamionëve me ndihma humanitare në Venezuelë përbën një "krim kundër njerëzimit", Juan Guaido u tha studentëve se një pjesë e ndihmave kanë arritur të futet.

"E dorëzuam dërgesën e parë me ndihma humanitare, në një shkallë të vogël, pasi ju e dini se qeveria e ka bllokuar kufirin. Kemi shpërndarë 80,000 pako për ata që kanë më shumë nevojë. Më shumë se 4,500 pako ishin për nënat shtatzëna. Por që ndihma humanitare të hyjë për 300 mijë venezuelianët në rrezik për jetën, është e nevojshme mbështetja e të gjithëve ju"- tha Juan Guaido, udhëheqësi i opozitës dhe Presidenti i vetëshpallur i Venezuelës.

Dërgesat nga Shtetet e Bashkuara me ushqime, medikamente e të tjera sende të nevojshme humanitare ndodhen në anën kolumbiane të kufirit. Qeveria venezueliane ka vendosur një çisternë karburanti dhe dy kamionë të mëdhenj për të bllokuar urën që lidh dy vendet, e për pasojë kalimin e ndihmës.

Presidenti Nicolas Maduro ka thënë se ndihma amerikane është pjesë e një komploti për të përmbysur qeverinë e tij. Ai thotë se Venezuela nuk ka nevojë për të.

Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Venezuelë, por nuk e ka bërë të qartë se në cilat rrethana do t’i niste drejt Venezuelës forcat amerikane.

Korrupsioni dhe politikat e dështuara të socialistëve e kanë shkatërruar ekonominë venezueliane, çfarë ka sjellë për pasojë mungesa të mëdha në ushqime e ilaçe si dhe një normë inflacioni jashtë kontrollit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG