Lidhje

SHBA, presion aleatëve për braktisjen e marrëveshjes me Iranin


Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, u bëri thirrje aleatëve europianë të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin e vitit 2015, duke e quajtur Teheranin "shtetin kryesor që sponsorizon terrorizmin në botë".

Shtetet e Bashkuara po marrin pjesë si organizatore në një konferencë ndërkombëtare për Lindjen e Mesme, në Varshavë të Polonisë.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore e Iranit vitin e kaluar dhe vendosën sanksione ndaj Teheranit. Administrata Trump fillimisht tha se Irani do të ishte fokusi i konferencës së Varshavës, por organizatorët e zgjeruan programin, duke përfshirë diskutimin për mosmarrëveshjet izraelito-palestineze dhe luftën kundër grupit Shteti Islamik.

Rendi i ditës u zgjerua për të rritur pjesëmarrjen, veçanërisht nga vendet evropiane, të cilat po përpiqen të shpëtojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Grupi me seli në Francë, Këshilli Kombëtar i Rezistencës në Iran, është bashkuar me zyrtarë të lartë nga rreth 60 vende në një konferencë dy-ditore në Varshavë. Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga Zëvendëspresidenti Mike Pence, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe avokati i presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani.

"Për të pasur paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme, duhet të ketë një ndryshim të madh në diktaturën teokratike të Iranit. Duhet të përfundojë dhe të përfundojë shpejt, në mënyrë që të ketë paqe dhe stabilitet”.

Irani sapo shënoi 40 vjetorin e një revolucioni që solli në pushtet udhëheqësit fetarë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu theksoi të martën rëndësinë e pjesëmarrjes së vendeve arabe në konferencë.

"Ajo që është e rëndësishme për këtë takim - dhe takimi nuk është sekret, sepse ka shumë prej tyre - është se ky është një takim i hapur me përfaqësuesit e vendeve kryesore arabe që janë ulur së bashku me Izraelin për të avancuar interesin e përbashkët e luftës me Iranin".

Ministri i jashtëm i Iranit akuzoi Shtetet e Bashkuara për presion ndaj vendeve të tjera për të marrë pjesë në konferencë.

"Ata përdorin paratë, përdorin ndikimin, përdorin forcën ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Ata përdorin avantazhin që kanë me vende të ndryshme, në mënyrë që të tërheqin më shumë njerëz në këtë konferencë. Dhe shumë njerëz që po shkojnë atje na kanë thënë se nuk kanë ndonjë zgjedhje tjetër'", tha Mohammad Javad Zarif.

Disa vëzhgues politikë thonë se lidhjet e ngushta të Polonisë me Uashingtonin mund të rrezikojnë marrëdhëniet e saj me vendet e tjera.

"Kam ndjesinë se administrata Trump nuk do t’ja dijë shumë për unitetin e Evropës. Ose më shumë akoma, ndoshta ky traktat përpiqet të shfrytëzojë disa ndasi brenda Evropës, apo edhe t'i thellojë ato", thotë Piots Buras me Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Varshavë.

Shefja e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini nuk merr pjesë në takim, por disa vende anëtare kanë dërguar përfaqësuesit e tyre. Kina, Rusia, Libani dhe palestinezët po qëndrojnë gjithashtu larg.

Teherani shënoi një fitore kundër Uashingtonit të martën, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë vendosi në favor të tij, duke e lejuar Teheranin të vazhdojë me një përpjekje për të zhbllokuar asetet në Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni është përpjekur ta ndalë këtë, duke cituar mbështetjen e supozuar të Teheranit për terrorizmin ndërkombëtar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG