Lidhje

Rritet presioni ndaj BE-së për të mbështetur opozitën në Venezuelë


Ndaj Bashkimit Evropian po rritet presioni për të mbështetur zyrtarisht opozitën e Venezuelës. Së fundmi tre ligjvënësve të BE-së iu refuzua hyrja në këtë vend nën akuzat për konspiracion. Ngjarja ka nxitur thirrjet që Brukseli të mbajë një qëndrim më të fortë kundër qeverisë së Nicolas Maduros. Shtetet e Bashkuara dhe shumë aleatë të tyre kanë njohur udhëheqësin e opozitës Juan Guaido si president të vendit, pas akuzave për manipulim të votave në zgjedhjet e vitit të kaluar. Ndërsa kriza politike vazhdon të thellohet, miliona venezueljanë janë zhytur në varfëri.

Mijëra mbështetës të opozitës mbushën rrugët e Karakasit gjatë fundjavës ndërsa Juan Guaido ka rritur presionin ndaj qeverisë së Nicolas Maduros.

"Sot mund të kishim avionë që uleshin në Venezuelë plot me ndihma humanitare” tha ai.

Presidenti i kundërshtuar i vendit Nicolas Maduro ka bllokuar shumicën e ndihmës së huaj që të hyjë në Venezuelë. Ushtria amerikane ka shpërndarë ushqime dhe ilaçe në kufirin venezueljan. Uashingtoni ka kërkuar që Maduro të largohet. Evropa është ndjerë më pak, por ndaj saj po rritet presioni për vëmendje.

Tre ligjvënës të lartë evropianë u ftuan të vizitojnë vendin nga anëtarët e opozitës në parlamentin e Venezuelës, por të dielën ata nuk u lejuan të hyjnë dhe u detyruan të kthehen në Madrid.

"Ishte një situatë shumë e pakëndshme dhe një demonstrim i pastër se Venezuela është një vend që po mbahet peng nga një fuqi që është pothuajse si Koreja e Veriut", tha Esteban Gonzalez Pons, anëtar i Parlamentit Evropian.

Ligjvënësit kanë kërkuar që Bashkimi Evropian të braktisë Grupin Ndërkombëtar të Kontaktit, një nismë mes shteteve evropiane dhe katër vendeve të Amerikës Latine, që kërkon një zgjidhje politike për Venezuelën.

Në konferencën e Mynihut për Sigurinë, nënpresidenti amerikan Mike Pence tha se Bashkimi Evropian duhet të njohë Juan Guaidon si president të vendit.

Holanda është një nga shtetet anëtare të BE-së që kanë ndjekur shembullin e Uashingtonit.

"Njëzet e dy vende europiane e kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm dhe natyrisht do të kisha dashur ta shihja BE-në të bashkuar mbi këtë çështje", tha Stef Blok, ministër i Jashtëm i Holandës.

Por Bashkimi Evropian është i ndarë. Spanja mban lidhjet më të ngushta me Venezuelën dhe hodhi poshtë kërkesat e Uashingtonit.

"Zoti Pence nuk mund të na kërkojë të mos pranojmë kushtetutën e Venezuelës", tha Josep Borrell, ministër i Jashtëm i Spanjës.

Nga ana tjetër Franca këmbëngul për zgjedhje të reja.

"Mënyra e vetme për të dalë nga kriza politike në Venezuelë janë zgjedhjet presidenciale demokratike", thotë Jean-Yves Le Drain, ministër i Jashtëm i Francës.

Qeveria holandeze ka rënë dakord që territori i saj, ishulli i Kuraçaos që ndodhet pranë Venezuelës, të përdoret si qendër për ndihmat, por ajo po ballafaqohet me të njëjtat probleme.

"Në mënyrë që ndihma të hyjë në Venezuelë, na duhet pëlqimi i autoriteteve venezueliane", tha Stef Blok, ministër i Jashtëm hollandez.

Kjo situatë ka bërë që shumica e ndihmës së huaj të mbetet e bllokuar, ndërsa debati diplomatik po rritet lidhur me mënyrën se si mund t’i jepet fund krizës politike dhe t’i vihet në ndihmë popullit venezueljan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG