Lidhje

Zyrtarët e zbulimit sjellin informacione të reja për hetimin e Rusisë


Sipas një personi në dijeni të diskutimeve për çështjen e hetimit të lidhjeve të mundshme mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, FBI-ja kishte hartuar një plan rezervë për të mbrojtur të dhënat e hetimit për Rusinë, menjëherë pas pushimit nga puna të Drejtorit të FBI-së James Comey, në rast se do të kishte arrestime të tjera të zyrtarëve të lartë të Agjencisë.

Plani ishte konceptuar në ditët kaotike, disa ditë pas shkarkimit të zotit Comey, kur FBI-ja filloi të hetonte në se Presidenti Donald Trump kishte penguar drejtësinë dhe në se ai me dashje, ose jo, mund të kishte patur lidhje me rusët. Qëllimi i këtij plani ishte që të ruhej i sigurtë informacioni i grumbulluar gjatë hetimit, që përfshin hetime të ndihmësve të zotit Trump dhe për mundësinë e bashkëpunimit mes Rusisë dhe fushatës së zotit Trump; plani ishte gjithashtu një masë mbrojtëse për zyrtarët kryesorë të zbatimit të ligjit, që të mund t’i mbijetonin shkarkimit, apo caktimit në detyra të reja. Në mesin e këtyre zyrtarëve janë Prokurori Special Robert Mueller, i cili u caktua në këtë detyrë tetë ditë pasi zoti Trump e pushoi nga puna zotin Comey në maj të vitit 2017.

Andrew McCabe, i cili u bë drejtor në detyrë pas shkarkimit të zotit Comey, u kërkoi hetuesve të hartonin një plan për t’u siguruar që të ruheshin të dhënat, tha personi, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste lidhur me këto diskutime në publik. Ai foli në kushtet e anonimitetit për agjencinë “The Associated Press”. Këto informacione i mbështeti edhe një person i dytë, me lidhje me çështjen, por që gjithashtu foli në kushtet e anonimitetit.

E pyetur nga gazetarët të martën, një zëdhënëse e FBI-së nuk pranoi të komentonte për këtë çështje.

McCabe tha në një intervistë për televizionin “CBS News”, se pas sharkimit të zotit Comey, ai ishte takuar me agjentë të FBI-së.

“Doja që hetimi lidhur me Rusinë të ishte i sigurtë…që në se unë do të shkarkohesha, apo transferohesha papritur, kjo çështje të mos mbyllej, apo zhdukej pa lënë gjurmë,”- tha ai.

Zoti Trump e ka kritikuar vazhdimisht hetimin e Prokurorit Special Mueller si “gjueti shtrigash” dhe ka sugjeruar vazhdimisht që edhe hetuesit duhet të merren në pyetje. Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions u shkarkua vitin e kaluar, për shkak se vendimi tij për të mos u përfshirë në hetimin për Rusinë, e zemëroi Presidentin.

Edhe zoti McCabe u shkarkua vitin e kaluar, pasi inspektori i përgjithshëm i Deparatmentit të Drejtësisë arriti në përfundimin se ai i kishte ç’orjentuar zyrtarët lidhur me rolin e tij në zbulimin e informacionit në media. Andrew McCabe i ka mohuar akuzat dhe thotë se shkarkimi i tij nga puna ka ndodhur për arsye politike. Në disa intervista që ka dhënë gjatë kësaj jave, ai ka thënë se ka në plan të ngrejë aktpadi ndaj Departamentit të Drejtësisë për këtë çështje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG