Lidhje

Sukses në trajtimin e virusit HIV me qeliza embrionale


Studiuesit njoftuan rastin e dytë të njohur të një personi që nuk ka asnjë shenjë të virusit që shkakton Sidën pas kryerjes së një transplantimi të qelizave embrionale dhe ndalimit të përdorimit të barnave antiretrovirale.

Në një studim të botuar të hënën në revistën Nature, autori kryesor Ravindra Gupta i Universitetit College të Londrës thotë se pacienti i trajtuar, rezultoi pa virusin HIV, që sulmon sistemin imunitar të njeriut, 18 muaj pas ndërprerjes së mjekimeve.

Pacienti u diagnostikua me HIV në vitin 2003 dhe filloi përdorimin e ilaçeve antiretrovirale në vitin 2012. Pasi u prek nga limfoma Hodgkin, ai filloi trajtimin me qeliza embrionale në vitin 2016 dhe më pas iu ndërprenë mjekimet antiretrovirale. Studiuesit monitoruan gjendjen e tij dhe që nga ajo kohë nuk kanë gjetur gjurmë të HIV-it.

Kyçi i trajtimit me qeliza embrionale është përdorimi i qelizave nga një donator me një kopje të rrallë të dyfishtë të një mutacioni të gjenit që është zakonisht rezistent ndaj virusit HIV.

Trajtimet e tilla me qeliza embrionale janë të rënda për trupin e njeriut dhe ato shoqërohen me dobësimin w sistemit imunitar të pacientit.

Autorët e studimit paralajmëruan se ky lloj i veçantë trajtimi nuk është një opsion i mundshëm për trajtimin e të gjitha rasteve të HIV-it.

Por ata shpresojnë se gjetja e një rasti tjetër që do të sillte një rezultat të ngjashëm me atë të një dekade më parë mund të ndihmojë në përqëndrimin e kërkimeve për gjetjen e një trajtimi që mund të përdoret në shkallë më të gjërë.

"Megjithëse nuk është një strategji e zbatueshme në shkallë të gjerë për kurimin e sëmundjes, jemi në një moment të rëndësishëm të kërkimeve për gjetjen e një kure për virusin HIV", tha Anton Pozniak, President i Shoqatës Ndërkombëtare të Sidës. "Këto zbulime të reja theksojnë besimin tonë se ekziston një provë se virusi HIV është i shërueshëm".

Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se 37 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë të prekur me virusin HIV, ndërsa 22 milionë prej tyre përdorin ilaçe antiretrovirale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG