Lidhje

2019 vit betejash të ashpra e rreziqesh për Kinën


Kryeministri kinez Li Ke-qiang paralajmëroi se ekonomia e dytë më e madhe në botë ka përpara një betejë të vështirë gjatë këtij viti. Ndërsa Kina është ngërthyer nga ritme të ulta të rritjes ekonomike dhe mosmarrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, ajo po përballet gjithashtu me sfida e rreziqe të mëdha, të pashembullta.

Në raportin vjetor rreth punës së qeverisë, përpara institucionit që drejton me dorë të fortë, Kongresit Kombëtar Popullor, Li Keqiang u foli delegatëve lidhur me planet për të ulur taksat, nxitur ekonominë dhe përqëndrim tek novacioni. Sipas tij rritja ekonomike e vendit për këtë vit do jetë nga 6 në 6.5 për qind.

Gjatë një fjalimi me ton të matur, zoti Li përmendi fjalën "stabilizim" apo "stabilitet" më shumë se 70 herë. Ai foli rreth nevojës për të stabilizuar tregun e bursës, sektorin financiar, nivelin e papunësinë, investimet e huaja e vendase si dhe natyrisht mosmarrëveshjet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

"Ndërsa ndjekim zhvillimet e këtij viti, do të përballemi me një mjedis më kritik dhe më të ndërlikuar sikurse rreziqe e sfida që janë më të mëdha në numër e madhësi. Duhet të jemi plotësisht të përgatitur për një luftë të ashpër", tha ai.

Tensionet tregtare dhe tarifat ndaj importeve kineze i shtohen sfidave me të cilat ballafaqohet Pekini. Kërkesa e Shteteve të Bashkuara për të ekstraduar zyrtaren kryesor për financat të gjigandit të teknologjisë “Huawei”, shqetësimet rreth kompanisë, si dhe lidhjet e saj me qeverinë autoritare kineze, janë të gjitha pjesë e një mjedisi të ndërlikuar.

Megjithatë zyrtarët e dy vendeve janë optimistë se palët do të mund të arrijnë një marrëveshje. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të hënën se ai shpreson që në ditët apo javët e ardhshme të bëhet një njoftim i rëndësishëm, siç tha ai.

Në një koment të tij ndërsa mbahej Kongresi Kombëtar Popullor, ministri i Tregtisë Zhong Shan (Xhung Shan) tha se të dy vendet duhet ende të gjejnë pikat e përbashka.

"Aktualisht grupet e punës po vazhdojnë negociatat. Kemi ende shumë për të bërë. Është e nevojshme që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të gjejnë një pikë të mesme të përbashkët".

Gjatë takimeve në kuadër të Kongresit Popullor Kombëtar, Kina pritet të miratojë ligjin e parë të saj për investimet e huaja. Në funksion të mbështetjes së kompanive vendase në kushtet e ngadalësimit të ecurisë ekonomike, Li tha se Kina do të ulë taksat ndaj kompanive dhe kontributet për sigurimet shoqërore me gati 300 miliardë dollarë.

Ai tha gjithashtu se qeveria do të rrisë shpenzimet si dhe politikat e saj fiskale do të jetë më proaktive.

Pekini do të rrisë shpenzimet ushtarake me 7.5 për qind këtë vit ose rreth 177 miliardë dollarë. Analistët thonë se shifra aktuale është shumë më e lartë, por bazuar në shumën që Pekini ka bërë publike, buxheti i Kinës është tre herë më lartë sesa ajo çka shpenzon India. Megjithatë shifra është larg asaj që shpenzon Uashingtoni për mbrotjen, që vitin e kaluar e tejkaloi nivelin e 700 miliardë dollarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG