Lidhje

Gazetari që dokumenton jetën në lagjet e rrezikshme


Ekziston një grup i rallë kameramanësh që futen në disa prej lagjeve më të rrezikshme të Amerikës për të dokumentuar dhe treguar historitë e njerëzve që jetojnë aty. Këto janë lagje ku dominon krimi në qytete si Çikago, Los Anxhelos dhe madje Fort Uorth (Fort Worth) të Teksasit. Shawn Cotton është një prej këtyre kameramanëve i cili dokumenton jetën dhe kulturën në këto lagje të rrezikshme.

Shawn Cotton ndodhet në Fort Uorth të Teksasit për të intervistuar një rrepist të quajtur 30 Rich. Por zoti Cotton e di që kjo zonë është e rrezikshme dhe e kontrolluar nga bandat.

“Fort Uorth është si në vitet 90-të. Bandat e gangsterëve ‘Bloods and Crips’ janë praktikisht si në vitet 90-të, ta shohim”, thotë Shawn Cotton me kanalin “Say Cheese TV” në YouTube.

Kur Cotton takohet me “30 Rich”, emri i vërtetë i të cilit është Wayne Walker, ai nuk ka frikë t’i bëjë çdo lloj pyetje.

“Kjo lagje është nën kontrollin e bandës Crip, apo jo?”

Vajtja në vendet ku kameramanët nuk shkojnë, për të intervistuar njerëz të ndryshëm, është pjesë e asaj që e bën stacionin e zotit Cotton “Say Cheese TV” një sukses në rritje. Por është e rrezikshme.

“E urrej faktin që më duhet të sjell këtë me vete ndonjëherë, kam leje për armën, dhe nuk e mbaja deri sa u vra Zack-u”, sqaron zoti Cotton.

Flitet për Zack Stoner-in, i cili kishte një kanal të njohur në YouTube mbi jetën dhe kulturën e afrikano-amerikanëve në rrugët e Çikagos.

Ai u qëllua për vdekje nga një makinë në lëvizje majin e vitit të kaluar, një rast ende i pazgjidhur. Zoti Cotton thotë se vdekja e tij e bëri të qartë se sa e rrezikshme mund të jetë puna e tij.

“Mbaj armë për arsye sigurie. Pasi miku im ZackTV u vra, gjykova që të jem më i sigurtë kur ndodhem në zona të varfëra duke bërë intervista.”

Banorët lokalë thonë se ngjarjet që tregonte Zack-u, kanë shumë nevojë të tregohen. Rodney Phillips merret me organizimin e komunitetit.

“Çikago humbi një njeri që i dha qytetit një platformë për kulturën, për kulturën e rrugës, luftërat dhe realitetin e papërpunuar se çfarë ndodh çdo ditë në lagjet e Çikagos.”

Zoti Cotton ka marrë kërcënime me jetë për punën që bën. Kritikët thonë se ajo që bën ai mund të lartësojë atë lloj dhune nga e cila u vra Zack-u.

Por Cotton ka parë disa nga artistët e muzikës rrep që ai interviston të sigurojnë kontrata regjistrimi. Ai thotë se videot e tij tregojnë atë pjesë të jetës që nuk shfaqet kurrë në mediumet kryesore.

“Sepse e dija që kisha një pikësynim, mund të ndryshoja jetët e njerëzve. E dija që atje kishte njerëz që kanë një histori për të treguar dhe nuk mundeshin, nuk dinin si të tregonin historinë e tyre.”

Kanali i zotit Cotton në YouTube ka më shumë se 400 mijë abonentë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG