Lidhje

Hetimet ndaj Presidentit Trump dhe skandali i Uotergejtit


Michael Cohen, the former personal attorney of U.S. President Donald Trump, is flanked by his attorneys Lanny Davis (L) and Mike Monico (R) as he testifies before a House Committee on Oversight and Reform hearing on Capitol Hill in Washington, Feb. 27, 20
Michael Cohen, the former personal attorney of U.S. President Donald Trump, is flanked by his attorneys Lanny Davis (L) and Mike Monico (R) as he testifies before a House Committee on Oversight and Reform hearing on Capitol Hill in Washington, Feb. 27, 20

Dëshmia në Kongres e ish-avokatit personal të Presidentit Donald Trump, Michael Cohen, tërhoqi mjaft vemendje në Uashington, në një kohë kur presidenti po vihet gjithnjë e më tepër nën lupën e medias dhe të politikanëve të opozitës. Për disa analistë, dëshmia e ish-avokatit ktheu në kujtesën e vendit momentet dramatike të një epoke tjetër, atë që u quajt skandali Uotergejt i viteve 1970, i cili përfundimisht e detyroi Presidentin Richard Nixon të largohej nga posti.

Ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, sulmoi ashpër presidentin, njeriun për të cilin dikur thoshte se do ta mbronte qoftë edhe duke i dalë vetë plumbit përpara.

"Donald Trump është një njeri i cili e vuri kandidaturën për të bërë të madh emrin e tij dhe jo vendin. Ai nuk kishte as dëshirën dhe as synimin për të drejtuar vendin, por thjesht për të reklamuar veten dhe për të rritur pasurinë dhe fuqinë e tij."

Zoti Cohen e implikoi Presidentin Trump në akuza konkrete për shkelje kriminale, të cilat Presidenti Trump i ka mohuar në mënyrë të përsëritur.

Presidenti vazhdon gjithashtu të minimizojë hetimin për Rusinë të drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

"Nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë. Ajo që thuhet është mashtrim. Nuk ka patur asgjë. Është një turp. Është turp për vendin tonë."

Dëshmia e ish-avokatit Cohen u kujtoi njerëzve skandalin e Uotergejtit në vitet 1970, kur presidenti i atëhershëm Riçard Nixon u akuzua për shkelje kriminale nga njëri prej ndihmësve, John Dean:

"Unë e kuptoj se kjo është pothuajse një detyrë e pamundur, nuk është aspak një situatë e këndshme. Por unë mund të flas vetëm për atë që di të jetë fakt dhe pikërisht këtë po i them këtij komisioni".

Dëshmia e zotit Dean implikonte presidentin Nixon në Shtëpinë e Bardhë se kishte fshehur hyrjen e njerëzve të tij në selinë e Partisë Demokratike në kompleksin Uotergejt në vitin 1972.

Pas nisjes nga Kongresi të procedurave të shkarkimit, Presidenti Nixon dha dorëheqjen - i vetmi president amerikan që e ka bërë këtë.

"Unë kurrë nuk kam qenë nga ata që i largohen përgjegjësisë. Fakti që largohem nga posti para se të më përfundojë mandati, kjo është diçka e neveritshme për çdo instinkt në trupin tim. Por, si president, unë duhet të vendos interesat e Amerikës mbi të gjitha".

Ka disa paralele midis dëshmisë së zotit Cohen dhe zotit Dean në atë kohë, thotë analisti John Hudak.

"Në fund të fundit, Michael Cohen dhe John Dean dëshmuan për faktin se ata besonin që presidenti shkeli ligjin. Kjo është një deklaratë e jashtëzakonshme, diçka që do ta vinte në mendime serioze çdo anëtar të arsyeshëm të Kongresit."

Presidenti Nixon e dha dorëheqjen para se të nisnin procedurat e shkarkimit.

Nëse zoti Trump do të përballet me një proces të tillë, kjo mbetet një pyetje e hapur, thotë analistja Susan Low Bloch.

"Akuza për nisjen e procedurave të tilla do të ishte tradhtia, ryshfeti ose krime apo shkelje të tjera të nivelit të lartë. Mendoj se këtu do të hynte edhe pengimi i drejtësisë dhe besoj se të gjithë pajtohen me këtë".

Rënia e presidentit Nixon nga pushteti shpesh përmendet si dëshmi se sistemi demokratik amerikan funksionon edhe kur është nën tension të madh.

Në varësi se çfarë do të ndodhë me hetimet e ndryshme ndaj zotit Trump, sistemi mund të vihet në provë përsëri, thotë zonja Bloch.

"Sistemi po vihet në provë dhe mendoj se hartuesit e Kushtetutës do të ishin krenarë për këtë. Ata do të thoshin: Ne ju dhamë një strukturë që ndan kompetencat, që ka kontrolle dhe balanca, dhe deri tani ka funksionuar mirë".

Imazhet e Uotergejtit kanë mbetur të vagëta në histori, duke u rikujtuar herë pas here brezave momentet e një tragjedie shekspiriane.

Por sot, 45 vjet më vonë, kur një tjetër president është nën hetime intensive, jehona e largët e Uotergejtit mund të dëgjohet përsëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG