Lidhje

Kandidatët demokratë në garën presidenciale


Në SHBA, kandidatë të shumtë demokratë do të garojnë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, për t'u përballur me presidentin Donald Trump, që pritet të jetë i emëruari i republikanëve.

Një grup i larmishëm që përfshin gjashtë senatorë, kanë nisur fushata ose kanë formuar komitete hulumtuese, për të filluar grumbullimin e fondeve dhe punësimin e stafit për garën presidenciale. Demokratët janë ende në pritje të vendimit të disa figurave të njohura, përfshirë ish-nënpresidentin Joe Biden dhe ish-ligjvënësin e Teksasit, Beto O'Rourke. Disa personalitete të tjera si ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg dhe senatori Sherrod Brown i Ohajos, kanë vendosur të mos kandidojnë.

Lista e kandidatëve të shpallur deri tani:

BERNIE SANDERS - Senatori nga Vermonti humbi emërimin demokrat në vitin 2016 ndaj Hillary Clintonit, por hyri në garë për një provë të dytë më 19 shkurt. Në garën e tij të parë, Sanders, 77 vjeç, tërhoqi mbështetje të fortë nga votuesit e rinj që mbështetën propozimet e tij për kolegjet publike falas, një pagë minimale prej 15 dollarësh dhe kujdes shëndetësor universal, ide që ai ka në plan t’i përsërisë për garën e vitit 2020. Fushata e tij njoftoi se ai arriti të grumbullojë 10 milionë dollarë vetëm në javën e parë.

ELIZABETH WARREN - Senatorja 69-vjeçare nga Masaçjuset, është liberale dhe një kritike e ashpër e Wall Street-it duke u bërë mbështetësja kryesore në krijimin e Zyrës për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve. Ajo e njoftoi garën me një video gjatë Vitit të Ri. Gjatë vizitave në shtetet që mbajnë zgjedhjet paraprake si Ajoua dhe Nju Hemshër, ajo e ka përqëndruar mesazhin e saj në populizmin ekonomik, duke premtuar të luftojë atë që ajo e quan një sistem të manipuluar ekonomik që favorizon të pasurit.

CORY BOOKER - Booker, 49 vjeç, senator afrikano-amerikan nga Nju Xhersi, në mandatin e dytë dhe ish kryebashkiak i Njuark-ut, fitoi emër në betejën për emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh. Ai e njoftoi kandidaturën e tij më 1 shkurt, ditën e parë të Muajit të Historisë Afrikano-Amerikane duke përmendur ndikimin e diskriminimit racor mbi familjen e tij dhe duke thënë se do të përqëndrohet në krijimin e vendeve të punës dhe reformimin e sistemit të drejtësisë penale.

PETE BUTTIGIEG - Kryetari i Bashkisë së qytetit South Bend në shtetin e Indianës, filloi më 23 janar fushatën për t'u bërë presidenti i parë i hapur homoseksual me një thirrje për një brez të ri udhëheqës për të sjellë freski në qasjet ndaj problemeve. Buttigieg, 37 vjeç, iu shmang pyetjeve për përvojën e tij duke theksuar rigjallërimin ekonomik që realizoi në qytetin që drejton.

JULIAN CASTRO - Sekretar i strehimit dhe zhvillimit urban nën Presidentin Barak Obama, iu bashkua garës më 12 janar në qytetin e tij të lindjes San Antonio, Teksas, ku ai dikur shërbente si kryetar i bashkisë dhe këshilltar i qytetit. Castro, 44 vjeç, nipi i një emigranti meksikan, është deri më tani i vetmi hispanik në këtë garë. Ai ka përdorur historinë personale të familjes së tij për të kritikuar politikat kufitare të presidentit Trump.

JOHN DELANEY - Ish-ligjvënës nga Merilendi, ishte demokrati i parë që hyri në garë në korrik të vitit 2017, shumë më parë se shumica e kandidatëve të fillonin të bënin lëvizjet e tyre. Delaney, 55 vjeç, është fokusuar shumë në fushatën dhe organizimin në Ajoua, shtet ku do të fillojë gara e nominimit në shkurt të vitit 2020, duke bërë udhëtime të përsëritura atje dhe duke vizituar të 99 qarqet e këtij shteti.

TULSI GABBARD - Gabbard, 37 vjeç, është gruaja e pare hindu që shërben në Dhomën e Përfaqësuesve. Pas njoftimit më 11 janar se do të kandidojë, fushata e saj shpejt u përfshi në polemika mbi deklaratat dhe aktivizmin e saj kundër homoseksualëve në të kaluarën, për të cilat ligjvënësja nga Hauai u detyrua të kërkojë falje. "Në të kaluarën time, kam thënë dhe kam besuar gjëra që ishin të gabuara", tha ajo.

KIRSTEN GILLIBRAND - Një drejtuese e zëshme në lëvizjen #MeToo kundër sulmeve dhe ngacmimeve seksuale, senatorja nga Nju Jorku njoftoi kandidaturën e saj më 15 janar në programin humoristik "The Late Show” me Stephen Colbert. "Gillibrand, 52 vjeç, ka mbrojtur rrënjët e familjes së saj nga Nju Jorku dhe ka thënë se ka provuar aftësinë e saj për të fituar mbi votuesit konservatorë ruralë. Por deri më tani ajo ka fituar shumë pak mbështetje në sondazhet e opinionit.

KAMALA HARRIS - Harris, 54 vjeç, njoftoi kandidaturën e saj në ditën që nderon udhëheqësin e të drejtave civile Martin Luther King Jr. Vajza e emigrantëve nga Xhamajka dhe India ka patur një ndikim të shpejtë në një garë që do të jetë shumë e ndikuar nga gratë dhe votuesit e pakicave. Senatorja nga Kalifornia në mandatin e parë, tërhoqi numrin më të madh të shikuesve në një program televiziv të CNN-it dhe radhitet në vendin e tretë në sondazhe, pas z. Biden dhe z. Bernie Sanders.

JOHN HICKENLOOPER - 67-vjeç, ish guvernator i Kolorados e ka pozicionuar veten si një centrist dhe me përvojë biznesi. Gjatë dy mandateve të tij në post, ekonomia e Kolorados u rrit dhe shteti perëndimor zgjeroi kujdesin shëndetësor, miratoi një ligj për kontrollin e armëve dhe legalizoi marijuanën. Ish-gjeologu dhe pronari i një fabrike birre, është një nga dy guvernatorët në garë dhe deri më tani ka refuzuar të marrë fonde nga korporatat për fushatën e tij.

JAY INSLEE - Guvernatori i shtetit të Uashingtonit hyri në garë më 1 mars me premtimin për t’i bërë ndryshimet klimatike një nga çështjet kryesore. Inslee, 68 vjeç, ka shërbyer 15 vjet në Kongres para se të zgjidhej guvernator në vitin 2012.

AMY KLOBUCHAR - Klobuchar, 58 vjeç, ishte e moderuara e parë në garën e demokratëve. Ajo fitoi vëmendjen e vendit gjatë seancës për konfirmimin e Brett Kavanaugh. Tani në mandatin e saj të tretë gjashtëvjeçar si senatore për Minesotën, fillimi i fushatës së senatores Klobuchar u shoqërua me njoftimet se stafit të saj në Senat i kërkohet të bëjë punë të rëndomta, duke ia bërë të vështirë që ajo të gjejë strategë të nivelit të lartë për fushatën.

MARIANNE WILLIAMSON - Një autore dhe lektore e vetë-formuar, ajo njoftoi fushatën e saj më 28 janar. Williamson, 66 vjeç, një aktiviste kundër luftës dhe avokate për pajtimin racor, mbështet një pagë minimale prej 15 dollarësh, kujdes shëndetësor universal dhe kthimin në marrëveshjen e klimës të Parisit.

Andrew Yang
Andrew Yang

ANDREW YANG - Sipërmarrësi e filloi fushatën e tij në nëntor 2017 rreth një çështjeje të vetme: e ardhmja e punës në një shoqëri post-industriale dhe kërcënimi që vjen nga automatizimi për eliminimin e miliona vendeve të punës. Për të zgjidhur këtë sfidë, Yang ka propozuar një të ardhur universale bazë prej 1,000 dollarë në muaj për çdo amerikan mbi moshën 18 vjeç. Yang, 44 vjeç, nuk ka përvojë në politikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG