Lidhje

Kina: Kampet e internimit do të zhduken gradualisht


Autoritetet kineze thanë të martën se kampet e internimit në rajonin perëndimor të Sinkiangut do të "zhduken gradualisht" në qoftë se vjen një kohë kur "shoqëria nuk do të ketë nevojë për to".

Kina po përballet me një kundërshtim global për kampet, për të cilët zyrtarët thonë se janë në fakt qendra të formimit profesional. "Disa zëra ndërkombëtarë thonë se Sinkiangu ka kampe përqendrimi dhe kampet riedukimi. Këto lloj deklaratash janë plotësisht të trilluara dhe jashtëzakonisht absurde," tha Guvernatori i Sinkiangut Shohrat Zakir.

Rreth një milion ujgurë dhe pakica të tjera myslimane turke mbahen në këto qendra, vlerësojnë Kombet e Bashkuara. Disa ish të burgosur kanë përshkruar kushtet e ashpra, duke përfshirë torturën psikologjike dhe indoktrinimin politik në këto kampe.

Pekini pretendon se kampet janë pjesë e një fushate më të gjerë për të zbutur kërcënimin e ekstremizmit islamik. "Numri i njerëzve në qendrat e edukimit duhet të jetë gjithnjë e më i vogël, dhe nëse një ditë shoqëria nuk do të ketë nevojë për to, këto qendra edukimi mund të zhduken gradualisht", tha Zakir.

Sekretari i Partisë për Sinkiangun, Chen Quanguo, miratoi politika të linjës së ashpër kur shërbente në rajonin budist të Tibetit. Vëzhguesit thonë se ai po zbaton masa të rrepta të sigurisë dhe mbikëqyrjes në Sinkiang. Zakir përsëriti thëniet e Pekinit se në Sinkiang nuk ka pasur incidente të dhunshme prej më shumë se dy vjetësh.

Por Shtetet e Bashkuara thonë se kushtet në Sinkiang janë "krejtësisht të papranueshme".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG