Lidhje

SHBA publikon raportin mbi të drejtat e njeriut në botë


Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin vjetor lidhur me situatën e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Publikimi i raportit u shoqërua me komente nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Një nga çështjet që përmendet në raport lidhet me myslimanët ujgurë të provincës Xinjiang të Kinës.

Shtetet e Bashkuara, disa qeveri perëndimore si dhe grupet e të drejtave, kanë akuzuar Kinën se po i mbajnë ujgurët dhe myslimanë të tjerë në kampe internimi me qëllimin për t’i zhveshur ata nga identiteti i tyre fetar e kulturor.

Kina thotë se ka vënë në zbatim një program deradikalizimi dhe se kampet janë qendra aftësimi profesional për t’i mësuar atyre ligjet dhe gjuhën mandarine. Autoritetet kineze thanë të martën se kampet në Xinjiang do të "zhduken gradualisht" nëse vjen koha që "shoqëria nuk do të ketë më nevojë për to".

Gjatë një fjalimi në Hong Kong të premten ambasadori amerikan për Lirinë Fetare Samuel Brownback tha se ndalimet nga ana e autoriteteve kineze nuk janë në proporcion me ndonjë kërcënim real që vjen nga ekstremizmi.

"Kina nuk është duke zgjidhur ndonjë problem që lidhet me terrorizmin duke futur me forcë gra, fëmijë, të moshuar dhe njerëzit më të arsimuar në qendra masive paraburgimi e kampe e internimi. Në fakt ata po e krijojnë një problem të tillë", tha ai.

Ligjvënësit amerikanë po i bëjnë presion administratës së Presidentit Trump të ndërmarrë veprime më të forta kundër Kinës. Komisioni i Punëve të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve i tha zotit Pompeo javën e kaluar se "duket që administrata nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kuptimplotë" për këtë çështje.

Zoti Pompeo tha se administrata po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksione kundër zyrtarëve kinezë përgjegjës për abuzimin me të drejtat e ujgurëve në Xinjiang.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG