Lidhje

Debate mbi moratoriumin e Kalifornisë për ekzekutimet me vdekje


Presidenti Donald Trump sulmoi sot guvernatorin e Kalifornisë për planet që të vendosë një moratorium në shtetin e tij mbi të gjitha ekzekutimet e personave të dënuar me vdekje për vrasje.

Në një postim në Twitter, Presidenti thotë “Duke sfiduar votuesit, guvernatori i Kalifornisë do të ndalojë të gjitha ekzekutimet me vdekje të 737 vrasësve të pashpirtë. Miqtë dhe familjet e viktimave të harruara nuk e pritën mirë, gjithashtu edhe unë!”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1105795445794717697

Në komentet e përgatitura me shkrim, që u panë nga disa gazetarë para se Guvernatori Gavin Newson të bënte njoftimin zyrtar, thuhet: “Vrasja e vullnetshme e një personi tjetër është gabim”.

Ai përmendi një numër rastesh kur persona të pafajshëm janë akuzuar pa të drejtë dhe janë ekzekutuar për krime që nuk i kishin kryer.

Guvernatori Newsom shtoi se çështjet gjyqësore ku jepet dënimi me vdekje ndikojnë në përqindje më të larta mbi pakicat, personat me probleme mendore dhe ata që nuk kanë para për të marrë një avokat të mirë.

Moratoriumi shoqërohet me një urdhër ekzekutiv për të pezulluar protokollet për ekzekutim me injeksion.

Asnjë nga të 737 personat që do të shpëtoheshin nga dënimi me vdekje nuk do të lirohen dhe nuk do të përfitojnë nga reduktimi i dënimit. Kalifornia, shteti amerikan me popullsinë më të madhe, kreu ekzekutimin e fundit me vdekje në 2006.

Grupe për të drejtat e njeriut e përshëndetën vendimin e guvernatorit.

Alison Parker, drejtoreshë menaxhuese e organizatës Human Rights Watch, tha se guvernatori ka përqafuar një “qëndrim të fortë moral” dhe se organizata që ajo përfaqëson shpreson se edhe shtete të tjera do të ndjekin shembullin e tij.

Përveç Presidentit Trump, edhe organizata që përfaqësojnë punonjës të zbatimit të ligjit kanë shprehur kritika.

Michelle Hanisee, presidente of Shoqatës së Zëvendës Prokurorëve e cilësoi vendimin e guvernatorit “të shpejtuar dhe të keq-menduar” dhe tha se ai po vepron kundër vullnetit të popullit të Kalifornisë.

Në 2016, një propozim u hodh në votë për të hequr dënimin me vdekje në këtë shtet, por nuk mori mbështetjen e votuesve. Një tjetër propozim për të shpejtuar procesin e tejzgjatur u miratua me një shumicë të vogël.

Në 20 nga 50 shtetet amerikane është hequr dënimi me vdekje. Guvernatorët e Pensilvanisë dhe Oregonit kanë vënë në zbatim moratoriume për të ndalur ekzekutimet.

Në Shtetet e Bashkuara vjet u kryen 25 ekzekutime, sipas të dhënave të Qendrës Informative për Dënimin me Vdekje. Nga këto 25 ekzekutime, 13, ose më shumë se gjysma, u kryen në Teksas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG