Lidhje

Protesta për qendrën e paraburgimit për emigrantët në Illinois


Future site of Dwight, Illinois detention center
Future site of Dwight, Illinois detention center

Qyteti Duait, në shtetin Illinois, gjendet në zemër të Amerikës dhe gati 2100 kilometra larg kufirit me Meksikën. Megjithë këtë distancë, siç korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, qyteti është bërë tashmë pjesë e debatit për emigracionin, kushtet e burgjeve dhe sigurinë kufitare.

Burgu që ndodhet në rrethina ofronte dikur vende pune me rroga të mira për qytetin Dauit me rreth 4300 banorë. Por, kjo mori fund kur burgu u mbyll në vitin 2013.

Me rrallimin e vendeve të punës, zyrtarët e qytetit kanë qenë në kërkim të mundësive të reja... siç janë mundësitë që ofrojnë Qendrat e Emigracionit.

Kjo kompani private menaxhon qendrat e Agjensisë së Shteteve të Bashkuara për Zbatimin e Ligjeve të Emigracionit dhe Doganave (ICE). Kompania ka propozuar tashmë ngritjen e një qendre në qytetin Duait, ku do të punësoheshin mbi 300 persona që do të mbikqyrnin rreth 1200 të ndaluar në pritje të seancave në gjykatat për emigracionin.

“Taksat shtesë që do mblidhen si dhe një pjesë e fitimeve të kësaj kompanie do të ndihmonin shumë qytezën tonë dhe ndoshta edhe shkollat tona”, thotë Mark Sulzberger, i Aleancës Ekonomike të qytetit Duait.

Zoti Sulzberger ishte ndër pronarët e bizneseve në qytet që shprehën mbështetje publikisht për çeljen e një qendre të tillë, gjatë një takimi të këshillit të qytetit. Edhe disa banorë folën haptazi.

“Ju kërkoj ta pranoni këtë qendër paraburgimi dhe të mos intimidoheni apo kërcënoheni prej këtyre protestuesve të cilëve nuk u intereson fare qyteti Duait”, tha Mark Scott, banor i qytetit.

Protestuesit, shumë prej të cilëve nuk janë nga kjo zonë, erdhën për të protestuar me zë të lartë dhe për të kundërshtuar edhe fizikisht planet e qytetit për të ndërtuar këtë qendër paraburgimi.

“Mund të bëjmë diçka tjetër shumë më të mirë”, thotë Lee Goodman, protestues.

Zoti Goodman ishte ndër dhjetëra protestuesit që u kërkuan zyrtarëve të votojnë kundër këtij plani.

“Kompanitë private të burgjeve e dinë se shumë komunitete kanë vështirësi ekonomike dhe prandaj gjejnë qytete që e kanë të vështirë të thonë ‘jo’. I joshin me oferta për punë me rroga të larta, të cilat ndoshta nuk do të realizohen, dhe shfrytëzojnë njerëzit që mund të thonë ‘po’ prej dëshpërimit”, thotë zoti Goodman.

Zoti Goodman thotë se ka vizituar qendra paraburgimi në El Paso, Teksas dhe Majami, Florida dhe është i shqetësuar për llogaridhënien dhe mbikqyrjen e tyre. Ai është gjithashtu kundër politikave të emigracionit që sjellin njerëzit në këto qendra.

“Nëse lejojmë ndërtimin e kësaj qendre këtu, atëherë inkurajojmë administratën të vazhdojë politikën e saj të shtypjes dhe represionit ndaj njerëzve. Kjo është e gabuar”, thotë ai.

Por, mbështetësit e projektit thonë se qyteti Duait nuk është vendi i duhur për të debatuar rreth politikave kombëtare për emigracionin.

“Duke i thënë ‘po’ ndërtimit të kësaj qendre, absolutisht nuk po themi edhe se jemi dakort me ligjet e emigracionit që janë në fuqi”, thotë zoti Sulzberger.

Pas një mbledhjeje të gjatë dhe me tone shpesh të nxehta, zyrtarët e qytetit miratuan planet për ndërtimin e qendrës së paraburgimit.

Kundërshtarët e projektit zotohen se do ta vazhdojnë betejën e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG