Lidhje

Studentët, protesta për veprim ndaj ndryshimeve klimatike


Në çdo brez, të rinjtë udhëheqin lëvizjet për ndryshime sociale – që nga adoleshentët afrikano-amerikanë të cilët organizuan protesta në vitet 1960 për t’i dhënë fund ndasive raciale në hapësirat publike në Shtetet e Bashkuara, tek protestat universitare në vitet 1980 që çuan në rrëzimin e aparteidit në Afrikën e Jugut, protestat pro-demokracisë në Pekin më 1989-ën dhe më tej. Disa lëvizje kanë qenë të suksesshme, disa të tjera jo. Protestat e fundit studentore që tërhoqën vëmendje filluan vitin e kaluar, pasi nxënësit ndërprenë mësimin të premten për të ushtruar presion mbi udhëheqësit botërorë për të ndërmarrë veprime për klimën. Protesta globale e koordinuar prej tyre të premten e kaluar ishte më e madhja deri tani. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Markus Meyer-Gehlen na ka dërguar këtë kronikëmbi aktivizmin e të rinjve.

Më 15 mars, studentët në të gjithë botën, organizuan një protestë rekord duke lënë orët e mësimit. Mediat njoftuan qindra mijëra pjesëmarrës në mbarë botën. Disa analistë thanë se ishin rreth 1.5 milion studentë në më shumë se 100 vende që morën pjesë.

"Ka ardhur koha të veprojmë dhe jo thjesht të vrojtojmë. Ne jemi brezi që do të udhëheqë veprimin ndërkombëtar!", thotë Alyssa Weissman, protestuese.

Patricia Maulden, një hulumtuese në Universitetin George Mason, thotë se nuk është për t'u habitur që të rinjtë janë të pasionuar për çështjet e klimës.

"Është diçka që të rinjtë e kuptojnë më mirë se të rriturit, dhe në përgjithësi, janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre, gjithsesi. Por edhe mediat sociale, bëjnë që të përçohet lehtë mesazhi midis kontinenteve ".

"Kjo është detyra jonë si idealistë të rinj që jemi. Ne duam të dëshmojmë se edhe pse jemi të rinj dhe nuk kemi aq përvojë, kjo nuk do të thotë që nuk i njohim problemet, bëjmë hulumtimin tonë dhe kujdesemi për të ndryshuar botën", thotë studentja protestuese Emma O’Driscoll.

"Ne jemi brezi i ardhshëm që hyjmë në forcën e punës, në zyra publike. Është e rëndësishme për ne pasi është e ardhmja jonë", thotë Kevin Crandall, student protestues.

Protestat për klimën nuk janë lëvizja e parë e udhëhequr nga studentët. Ata u frymëzuan shumë nga lëvizja "Marshojmë për Jetën Tonë", e cila kërkoi ligje më të rrepta të armëve pas një incidenti në një shkollë të mesme në Florida që la 17 të vdekur.

“Nxënësit në shkollën Parkland ishin mjaft të artikuluar. Ata u organizuan në një mënyrë që ishte shembull apo një kujtesë ndoshta sesi duhen organizuar protestat”, thotë Patricia Maulden me universitetin George Mason.

A do të përqafohet lëvizja në Shtetet e Bashkuara ashu si në vendet e tjera? Ekspertët thonë se është e vështirë të parashikohet, por studentët kanë disa përkrahës të shquar. Midis tyre është ligjvënësja demokrate Ilhan Omar, e cila sapo mori detyrën në Kongres, ka mbajtur një qëndrim të qartë për energji të pastër.

"Falë gjithë të rinjve që kanë vendosur të dalin sot për të ardhmen e tyre dhe çdo të rrituri që është këtu për të siguruar që e ardhmja do të vijë".

Mbështetje të tjera kanë ardhur nga ish kandidatja presidenciale Hillary Clinton dhe aktori i Hollivudit Leonardo DiCaprio …

Pyetja që shtrohet tani është nëse studentët që në pjesën më të madhe as që mund të votojnë, do të kenë një ndikim të vërtetë në politikën globale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG