Presidenti Trump priti të martën në Shtëpinë e Bardhë presidentin brazilian Jair Bolsonaro.
Ai tha pas takimit, se Shtetet e Bashkuara kanë sot me Brazilin një aleancë që nuk e kanë patur kurrë më parë.
Të dy udhëheqësit diskutuan për fuqizimin e lidhjeve diplomatike dhe tregtare mes të dy vendeve, bashkëpunimin në fushën e energjisë, si dhe nisma të tjera për infrastrukturën.
Venezuela është një tjetër temë për të cilën biseduan të dy Presidentët. Të dyja vendet kanë shprehur mbështetje për udhëheqësin e opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili është njohur nga pjesa më e madhe e vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Brazili.
Zyrtarët amerikanë thonë se ushtria braziliane mund të luajë rol në krizën venezueliane përmes lidhjeve që ka me homologët ushtarakë në Venezuelë, për të ndihmuar në mbrojtjen e civilëve.
Pas takimit të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp. Presidenti Trump e vlerësoi udhëheqësin brazilian, një konservator i ekstremit të djathtë dhe tha se ka me të “një marrëdhënie të shkëlqyer bashkëpunimi” dhe se ata kanë “shumë pikëpamje të përbashkëta”.
Zoti Trump tha se ai mbështet përpjekjet e Brazilit për t’u anëtarësuar në Organizatën për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik dhe se po shqyrton që t’i orforjë Brazilit mbështetjen amerikane për të patur disa privilegje të NATO-s.
Brazili është vendi më i madh dhe me popullsinë më të madhe në Amerikën Latine.
Pas ardhjes së tij në pushtet në 1 janar të këtoj viti, Jair Bolsonaro, një ish kapiten ushtrie, tha se Brazili do të shqyrtonte mundësinë që SHBA të kenë një bazë ushtarake në vendin e tij, si mënyrë për t’iu kundërvënë ndikimit rus në rajon, veçanërisht në Venezuelën fqinjë.
Kjo deklaratë e tij u kritikua ashpër nga ish ushtarakë në qeverinë e tij, megjithatë, Bolsonaro vazhdimisht ka shprehur admirim për zotin Trump dhe thekson vazhdimisht se lidhjet më të ngushta mes të dy vendeve janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Brazilit.
Gjatë gjithë vizitës së tij në SHBA, zoti Bolsonaro është përpjekeur të theksojë qëndrimin e tij pro-amerikan.
Presidenti brazilian, i cili erdhi në SHBA me 6 ministra të tij, pati të hënën një vizitë të pazakontë në zyrat e CIA-s në Langley të Virginias.
Ai tha në një intervistë se mbështet politikat e vijës së ashpër të zotit Trump për imigracionin dhe përpjekjet e tij për ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën.
Facebook Forum