Lidhje

Zelanda e Re njofton vendimin për ndalim të armëve sulmuese


Rreth një javë pas vrasjes së 50 besimtarëve myslimanë në qytetin e Christchurch-it të Zelandës së Re, kryeministrja Jacnda Ardern njoftoi të enjten se të gjitha armët luftarake, automatike dhe gjysmë-automatike do të ndalohen.

Vendimi për ndalim përfshin gjithashtu karikatorët me kapacitet të lartë si dhe pajisje që mund t'i kthejnë pushkët e zakonshme në armë sulmuese me veprim të shpejtë. Zonja Ardern njoftoi gjithashtu një skemë blerjeje në shkallë të gjerë për të inkurajuar ata që kanë në pronësi armë të tilla t'i dorëzojnë ato tek autoritetet.

Parlamenti pritet ta miratojë vendimin në mes të muajit prill.

Autoritetet kanë akuzuar 28-vjeçarin australian Brenton Harris Tarrant për vrasje lidhur me sulmet në 15 mars në xhamitë e al-Noor-it dhe Linwood-it. I vetëshpallur nacionalisti i bardhë nuk e pranoi fajin gjatë paraqitjes së tij të parë gjyqësore një ditë pas sulmit. Dalja e tij e radhës përpara gjykatës do të ndodhë në 5 prill.

Të enjten u mbajtën ceremoni varrimi për viktimat e vrarë gjatë sulmeve në xhami. Policia thotë se të 50 viktimat janë identifikuar tashmë zyrtarisht dhe se për më shumë se 20 trupa është dhënë leja për t’u varrosur. Pritja e gjatë ka rritur ankthin tek familjet e viktimave pasi sipas traditës islame kërkohet që pas vdekjes, trupat të pastrohen e të varrosen sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësisht brenda 24 orëve.

Ndërkohë me mijëra besimtarë pritet të jenë të pranishëm gjatë rihapjes së xhamisë al-Noor për lutjet e së premtes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG