Lidhje

Presidenti kinez Xi Jinping për bisedime në Paris


Në vazhdim të turenut të tij europian 6-ditor, në përpjekje për të fuqizuar tregtinë e Kinës me Europën, Presidenti kinez Xi Jinping sot ndodhet në Paris. Ai pritet të nënshkruajë disa kontrata, mes tyre një për energjinë.

Të dielën zoti Xi ishte i ftuar për darkë nga Presidenti francez Emmanuel Macron, në vendpushimin Beaulieu-sur-Mer.

Të martën Presidenti kinez pritet të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.

Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Kinës, por shumë vetë në Evropë shqetësohen për konkurrencën e pandershme nga kompanitë kineze, të cilat përfitojnë nga mbështetja financiare e qeverisë.

Presidenti kinez shkoi në Francë pas Italisë, që sapo miratoi nismën “një brez një rrugë”, një projekt i madh kinez i infrastrukturës.

Presidenti francez Macron e kritikoi veprimin e Italisë, duke bërë thirrje për një qasje të përbashkët evropiane ndaj Kinës.

Turneu europian i zotit Xi ndodh ndërsa kompania kineze e teknologjisë, Huawei përpiqet të zhvillojë rrjetin e saj të telekomunikacioneve 5G - një çështje e debatueshme për disa vende evropiane.

Qeveria amerikane thotë se rrjeti 5G i Huaweit mund t'u krijojë shërbimeve kineze të sigurisë një mundësi depërtimi për të spiunuar mbi konsumatorët dhe u ka bërë thirrje partnerëve europianë ta shmangin atë.
Kompania Huawei thotë se këto shqetësime ndaj saj nuk kanë bazë.

Franca nuk ka vendosur ende nëse duhet ta lejojë Huawei-n të ndërtojë rrjetet e veta 5G, por kjo çështje mund të jetë objekt diskutimesh gjatë vizitës së liderit kinez.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG