Lidhje

Kryeministri Haradinaj shkarkon Zv/Ministren Mikiç


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi të hënën nga detyra zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, siç tha ai për shkak të , gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme.

Vendimi i Kryeministrit Haradinaj pasoi vlerësimin që Zv. Ministrja Mikiç kishte bërë një ditë më parë lidhur me njëzet vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.

Vesna Mikiç
Vesna Mikiç

Ajo shkroi në rrjetet sociale se ”para njëzet vitesh aleanca e NATO-s ka ushtruar gjenocid të planifikuar ndaj një shteti sovran që për dekada ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar brenda kufijve të vet”.

Zonja Mikiç tha se “edhe pas njëzet viteve, Serbia përballet me trysni të tejskajshme për të njohur pavarësinë e vetëshpallur brenda territorit të saj”.

Deklaratat e zëvendësministres Mikiç ngjallën reagime të shumta në Kosovë dhe thirrje për shkarkimin e saj.

Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale kryeministri Ramush Haradinaj shkroi se ka liruar nga detyra zonjën Mikiç duke nënvizuar se në qeverinë dhe institucionet e Kosovës nuk ka vend për individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike.

“Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq”, thuhet në vendimin e kryeministrit Haradinaj.

Një ditë më parë, në Kosovë u shënua njëzet vjetori i fillimit të fushatës së bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Shënimi i 24 marsit në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit. Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit të cilët e vlerësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Reagimet serbe pas shkarkimit

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë reagoi ashpër ndaj vendimit të kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e zëvendësministres Mikiç. Në reagimin e kësaj zyreje thuhet se shkarkimi “është edhe një tjetër provë që Ramush Haradinajt i duhen serbë të dëgjueshëm dhe të bindur".

Sipas zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, zonja Mikiç ka shprehur mendimin që mbizotëron në mesin e popullit serb lidhur me sulmet e NATO-s ndaj Serbisë. "(Ramush) Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij mund t'iu ngrenë edhe dhjetëra monumente agresorëve dhe terroristëve, por populli serb nuk do të detyrohet t'i respektojë ata që i kanë bërë keq", thuhet në reagim.

Edhe lista serbe, subjekt ky pjesë e së cilës është zëvendësministrja Vesna Mikiç, tha se qëndrimi i zonjës Mikiç është personal dhe përfaqëson të vërtetën absolute. Lista serbe kritikoi kryeministrin Ramush Haradinaj për siç thanë “dërgimin e një mesazhi të qartë se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve duan që në institucionet e tyre të jenë të përfshirë përfaqësues politik serb të dëgjueshëm” thuhet në reagim.

Njëzet vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Por, tensionet ndërmjet të dyja vendeve mbeten të larta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG