Lidhje

Pompeo: Nuk do të qëndrojmë pasivë ndërsa Rusia përshkallëzon tensionet politike në Venezuelë


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të qëndrojnë pasivë”, ndërsa Rusia përshkallëzon tensionet politike në Venezuelë.

"Përfshirja e vazhdueshme e personelit ushtarak rus për të mbështetur regjimin e paligjshëm të Nicolas Maduro në Venezuelë rrezikon zgjatjen e vuajtjeve për popullin venezuelian, pjesa më e madhe e të cilit mbështet presidentin e përkohshëm Juan Guaido", thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit lidhur me bisedën telefonike midis Sekretarit Pompeo dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Mediat venezueliane dhe ruse njoftuan se të hënën në Karakas u ulën dy avionë të forcave ajrore ruse, ku ndodheshin një zyrtar rus i mbrojtjes dhe rreth 100 trupa.

Rusia është një aleate e vjetër e Venezuelës, që ka mbështetur udhëheqësin e tanishëm Nikolas Maduro, ndërsa Shtetet e Bashkuara, së bashku me dhjetra vende të tjera, kanë treguar mbështetje për zotin Guaido, i cili u shpall president i përkohshëm pas zgjedhjeve të debatueshme vitin e kaluar.

"Sekretari Pompeo i bëri thirrje Rusisë që t’i ndalë sjelljet jokonstruktive dhe të bashkohet me vende të tjera, përfshirë shumicën dërrmuese të vendeve në Hemisferën Perëndimore, që kërkojnë një të ardhme më të mirë për popullin venezuelian", thuhet në deklaratën e DASH.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG