Lidhje

Vetëvrasja e tretë pas sulmeve me armë në shkollat amerikane 


Vetëvrasjet brenda një jave të tre personave të lidhur me sulmet me armë në shkollat në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur pyetjen nëse njëri rast i vetëvrasjes ka frymëzuar të tjerët dhe nëse ato mund të ishin parandaluar. Dy nxënës të një shkolle të mesme në Florida, ku një sulmues i armatosur pati vrarë 17 nxënës, kryen vetëvrasje brenda dy javësh këtë muaj. Pas tyre kreu vetëvrasje babai i një prej 20 fëmijëve të vrarë nga një sulm me armë në një shkollë fillore në shtetin Konektikat. Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se vdekjet nga armët dhe vetëvrasjet janë një pjesë thelbësore e krizës së sistemit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara.

Një vit dhe një muaj pas vrasjeve masive në shkollën e mesme në Parkland, të shtetit Florida, plagët nuk janë shëruar ende. Në 17 mars, ish-studentja Sydney Aiello u njoftua se ishte vetëvrarë. Prindërit e saj thanë se ishte ndjerë fajtore që kishte mbijetuar dhe ishte diagnostikuar rkohët e fundit me çrregullime post-traumatike. Një tjetër i mbijetuar i sulmit në Parkland vrau veten brenda një jave. Pas tyre, babai i një vajze të vrarë gjatë sulmit në vitin 2012 në një shkolle fillore në Konektikat, u gjet i vetëvrarë në zyrën e tij.

“Shumë njerëz që i mbijetojnë një ngjarjeje të tmerrshme dhe traumatike pësojnë çrregullime post-traumatike që mund të zgjasin dhe që mund të çojnë edhe në vetëvrasje”, thotë profesorja e psikiatrisë në Spitalin Presbiterian të Nju Jorkut, Gail Saltz.

Zonja Saltz thotë se nëse shohin dikë që ka vuajtur trauma të ngjashme të vrasë veten, atëherë shembullin e tij mund ta ndjekin të tjerë.

“Janë njerëz që e kanë menduar më parë vetëvrasjen”, thotë zonja Slatz.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se është shumë e nevojshme që njerëzve që kanë përjetuar trauma të tmerrshme t’u ofrohet mbështetje e menjëhershme dhe e vazhdueshme. Komuniteti duhet t’i mbajë pranë dhe mediat duhet të vënë në dukje pasojat e një vetëvrasjeje tek komuniteti.

“Duhet të flitet se sa e tmerrshme është për ta dhe për familjet e tyre. Është e tmerrshme për miqtë dhe për të gjithë komunitetin. Të flitet për pasojat reale, në mënyrë që ata që e mendojnë vetëvrasjen të kuptojnë se ajo nuk ndodh në boshllëk dhe se nuk ka asgjë tërheqëse”, thotë zonja Saltz.

Zonja Saltz thotë se në Shtetet e Bashkuara po shtohen vetëvrasjet dhe se shumica e tyre kryhen me armë.

“Për herë të parë në dy vitet e fundit shohim se ka rënë jetëgjatësia, për shkak të vetëvrasjeve dhe opioideve. Është madje e vështirë të dallohet se sa prej vdekjeve nga opioidet janë realisht vetëvrasje”, thotë ajo.

Pasi një i mbijetuar i dytë i sulmit me armë në Parkland vrau veten, drejtori i emergjencave të shtetit Florida i bëri thirrje ligjvënësve të miratojnë më shumë fonde për kujdesin e shëndetit mendor në shkollën e mesme ku sulmuesi vrau 17 studentë në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG