Lidhje

Vazhdojnë ecejaket e Brexit


Belgium EU Brexit

Parlamenti britanik pritet të diskutojnë të premten rreth një propozimi që lidhet me shkëputjen e vendit nga Bashkimi Evropian. Njoftimi u bë të enjten nga udhëheqësja e qeverisë në Dhomën e Komunëve Andrea Leadsom, por ajo nuk qartësoi nëse bëhej fjalë për një votim të tretë zyrtar të marrëveshjes që propozon qeveria për këtë proces.

Javën e kaluar kryetari i parlamentit John Bercow, tha se një votim tjetër lidhur me këtë marrëveshje do të zhvillohej vetëm nëse ajo do të ishte ndryshe nga një propozim që ligjvënësit e kanë hedhur poshtë tashmë dy herë.

Bashkimi Evropian ka rënë dakord të vonojë procesin e largimit të Britanisë deri më 22 maj, nëse marrëveshja miratohet këtë javë.

"Ne e pranojmë se çdo propozim që do të sillej nesër duhet të jetë në përputhje me vendimin e kryetarit dhe ky diskutim është në vazhdim. Një propozim do të paraqitet sa më shpejt të jetë e mundur dhe gjasat janë që kjo të ndodhë më vonë gjatë ditës së sotme", tha zonja Leadsom në parlament.

Të mërkurën, Kryeministrja britanike Theresa May tha se ajo është e gatshme të dorëhiqet në mënyrë që marrëveshja e saj për daljen e Britanisë nga BE-ja të miratohet nga parlamenti.

"Duhet ta miratojmë marrëveshjen dhe të kryejmë procesin e Brexit-it" u tha zonja May ligjvënësve, sipas një deklarate lëshuar nga zyra e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG