Lidhje

Studimi i ri: rënie e ndjeshme në popullsinë e insekteve


Insektet janë grupi me më shumë biodiversitet i gjallesave të planetit. Dhe është gjë e mirë që ekzistojnë kaq shumë prej tyre, pasi janë përgjegjës për shumë prej proceseve që mundësojnë jetën në planet, që nga pjalmimi deri në dekompozim. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs, një raport i ri sugjeron se insektet po zhduken dhe se kjo mund të ketë pasoja katastrofike.

Një pjesë gjithnjë e më madhe e insekteve të botës tashmë ekzistojnë vetëm në koleksione ekspozitash.

Një përmbledhje e re e mbi 70 studimeve të popullsive të insekteve sugjeron se presioni njerëzor po shkakton tkurrjen e popullsisë së insekteve, madje me një ritëm prej 1/4-tën për çdo dekadë.

“Disa nga kolegët e mia e krahasojnë me lojën ‘Jenga’. Kur heq një copëz nga kulla Jenga, gjithçka vazhdon të duket mirë. Heq një pjesëz tjetër dhe e gjitha shembet. Nuk e di paraprakisht se heqja e cilës pjesë do ta shkaktojë rrëzimin dhe pasi e ke hequr nuk e vendos dot më në vend. Pra, humbja e specieve është shumë shqetësuese, pasi shpesh nuk dimë se çfarë funksioni kanë këto specie. Nuk dimë sa specie të tjera varen prej tyre”, thotë Max Barclay, i Muzeut të Historisë së Natyrës të Londrës.

Insektet përbëjnë klasën më të madhe të kafshëve në tokë dhe përfaqësojnë mbi gjysmën e të gjitha organizmave të gjalla. Ato kanë një diversitet të jashtëzakonshëm dhe në shumë mënyra bëjnë të mundur jetën në tokë.

Bletët dhe fluturat pllenojnë ushqimin tonë, lulet dhe pemët. Ato ushqejnë një sërë kafshësh të mëdha, si dhe njerëzit.

Insektet luajnë një rol jetësor në dekompozimin e të gjitha llojeve të lëndëve organike, që nga gjethet dhe deri tek kafshët e shtypura aksidentalisht nga makinat.

Kolapsi i insekteve po shkaktohet kryesisht prej aktivitetit njerëzor; që nga trafiku, tek fermat industriale, pesticidet dhe ndriçimi i tepërt artificial.

Shkencëtarët thonë se nuk mundemi të rrimë pa gjetur një zgjidhje.

“Një pjesë e madhe e të korrave, me të cilat ushqehemi, pllenohen nga insektet. Pra, imagjinoni një botë ku nuk ndodh ky pllenim. Ka shumë raste në botë ku po detyrohemi ta zhvillojmë pllenimin artificialisht, me kosto të lartë ekonomike, thjesht sepse insektet që e bënin këtë punë falas nuk gjenden më aty. Imagjinoni përmasat e problemit tek të korrat, nëse insektet nuk do të ekzistonin më”, thotë Mark Wright, i Fondit Botëror për Natyrën e Egër.

Një paralajmërim i madh është se të gjitha këto studime vijnë nga vende të industrializuara në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Shkencëtarët thonë se ata nuk kanë të dhëna për të matur speciet e insekteve në rajonet më tropikale.

Por, në këto vende të industrializuara, raporti parashikon se të gjitha speciet mund të zhduken brenda një shekulli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG