Lidhje

Venezuelë: Maduro njofton planin 30-ditor të furnizimit me energji


Gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror të dielën presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro, njoftoi një plan 30-ditor për furnizim me energji elektrike.

Ai tha se plani i racionimit do ta ndihmojë qeverinë të merret me infrastrukturën e ujit dhe komunikimit.

Zoti Maduro tha se shkollat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura dhe se dita e punës do të shkurtohet me qëllimin për të kursyer energji gjatë periudhës 30-ditore.

Të dielën banorët e stresuar me situatën e krijuar për shkak të ndërprerjeve të përsëritura të energjisë elektrike protestuan me thirrje kundër Presidentit Maduro.

Sipas zotit Maduro situata është pasojë e një sabotazhi të kryer nga Shtetet e Bashkuara.

Por për udhëheqësin e opozitës Juan Guaido situata është pasojë e neglizhimit dhe keqmenaxhimin nga ana e qeverisë.

"Ata e çuan sistemin elektrik në kolaps sepse janë të korruptuar dhe tani nuk mund ta zgjidhin atë sepse janë të paaftë," tha ai.

Zoti Guaido e përdori autoritetin e tij kushtetues si kryetar i Asamblesë Kombëtare për ta shpallur mandatin presidencial të Nicolas Maduros të paligjshëm, duke thënë se ai u rizgjodh në muajin dhjetor falë manipulimit të votave.

Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera njohin Juan Guaido si president të përkohshëm të vendit. Uashingtoni ka vendosur sanksione të shumta kundër qeverisë, por Nicolas Maduro refuzon të japë dorëheqjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG