Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi pas raportit Mueller


Kur raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller arriti në përfundimin se as zoti Donald Trump dhe as ndonjë nga ndihmësit e tij nuk bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, disa menduan se kjo mund të shënonte fillimin e një epoke të re për presidencën Trump, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhënien e tij me Vladimir Putinin. Por a do të ketë Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini një afrim pas raportit të Muellerit? Ekspertët që u mblodhën në Moskë për të diskutuar marrëdhëniet SHBA-Rusi i thanë korrespondentit të Zërit të Amerikës Igor Tsikhanenka se nuk ka gjasa që kjo të ndodhë.

Në ditët pas publikimit të raportit të Robert Muellerit, skepticizmi i politikanëve rusë u ngjit në shkallën e talljes dhe sarkazmës.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov vuri në lojë raportin, duke thënë se përpjekja ishte si për t’u munduar të gjeje një mace të zezë që nuk ekzistonte në një dhomë të errët.

Por shpejt pas raportit, ka pasur një ndryshim - një ton më miqësor - me Moskën që duket se po ofron një gjest paqeje.

"Presidenti (Vladimir) Putin e ka thënë disa here se ne jemi të interesuar të kemi marrëdhënie të mira me Amerikën”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Por sa reale është ndreqja e kësaj marrëdhënieje? Varet se mendimin e kujt kërkon.

"Mund të mos jemi në gjendje derisa të kemi një president të ri", thotë Jack Matlock, ish ambasador amerikan në Bashkimin Sovjetik në vitet 1987-1991.

“Do të ketë një mundësi, mendoj, në mandatin e dytë – në se do të ketë një mandate të dytë – administrate Trump mund të arrijë të përmirësojë marrëdhënien”, thotë Mark Kramer me Universitetin e Harvardit.

Ekspertët në të dy anët e Atlantikut besojnë se pohimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe hetimet e prokurorit Mueller e dëmtuan emrin e zotit Trump dhe mund të kenë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme lidhjet midis administratës së tij dhe Kremlinit.

"Mendoj se ndjenjat e hidhura në të dyja anët kanë arritur në një pikë të tillë saqë do të duhet një kohë të gjatë dhe shumë durim në përpjekje për ta kapërcyer situatën", thotë David Foglesong me Universitetin Rutgers.

Vëzhguesit fajësojnë gjithashtu për çarjen në marrëdhëniet SHBA-Rusi luftën e brendshme politike mes demokratëve dhe republikanëve në Shtetet e Bashkuara.

Dhe ndërkohë që shumica e ekspertëve janë të mendimit se Rusia u angazhua në aktivitet keqbërës gjatë zgjedhjeve amerikane, ata gjithashtu fajësojnë portretizimin e çështjes nga media amerikane.

"Për dy vjet e gjysmë ka pasur një ekzagjerim të ngjarjes dhe jo se nuk ka pasur asgjë përsa i takon ndërhyrjes së Rusisë në jetën politike amerikane, por shtrirja e asaj që ka ndodhur është ekzagjeruar", thotë David Foglesong me Universitetin Rutgers.

Ka një gjë për të cilën diplomatët dhe ekspertët veteranë në këtë takim në Universitetin Shtetëror Rus për Humanizmin duket se pajtohen.

"Kjo temë [përfundimet e hetimit të prokuririt Mueller] nuk është mbyllur. Por domosdoshmëria dhe mundësia e një dialogu ekzistonin përpara publikimit të raportit dhe ende ekzistojnë", thotë Pavel Palazhchenko, përkthyesi i Mikhail Gorgaçovit.

Dhe duket se domosdoshmëria e këtij dialogu përcaktohet jo vetëm nga udhëheqësit e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe nga madhësia e ndikimit që këto të dy vende kanë në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG