Lidhje

SHBA, marrëveshje mbrojtjeje me Hungarinë


Këto ditë kur u shënua 70 vjetori i themelimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje mbrojtjeje me Hungarinë, një akt që kaloi pothuajse pa u vënë re nga mediat amerikane.

Mediat hungareze, megjithatë, e publikuan gjerësisht lajmin të shtunën, duke cituar ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, sipas të cilit marrëveshja është një "version i modernizuar" i një marrëveshjeje të arritur 20 vjet më parë.

Në një deklaratë, David B. Cornstein, ambasador amerikan në Hungari, thotë se "kjo marrëveshje do të modernizojë statusin tonë të mëparshëm për të pasqyruar realitetet e reja në fushën e mbrojtjes."

Daniel S. Hamilton, ekspert për çështje ndëratlantike në Universitetin Johns Hopkins, shpjegon për Zërin e Amerikës se marrëveshja shërben si mjet për të kanalizuar financimin amerikan për vendet nënshkruese sipas Nismës Evropiane të Frenimit (EDI), "kryesisht për përmirësimin e infrastrukturës, por e lidhur edhe me mbrojtjen nga raketat ". Shtetet e Bashkuara, thotë ai, kanë marrëveshje të ngjashme me një numër aleatësh dhe po negociojnë me më shumë të tjerë.

Nisma Evropiane e Frenimit, e njohur më parë si Nisma e Sigurisë Evropiane, u krijua në vitin 2014 në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Krime dhe Ukrainën lindore, dhe është rritur në mënyrë të qëndrueshme. Studiuesit thonë se, "mes një stuhie mesazhesh presidenciale në Tweeter dhe tubimeve ndërkombëtare plot debate, shuma e financuar për këtë nismë ka arritur në mbi 6.5 miliardë dollarë për vitin fiskal 2019 ((https://csbaonline.org/research/publications/the-european-deterrence-initiative)). "

Pak orë pas nënshkrimit të marrëveshjes së mbrojtjes SHBA-Hungari, ministri i jashtëm i Hungarisë deklaroi në Uashington se qeveria e tij "përshëndet" mënyrën se si administrata e tanishme amerikane trajton vendin e tij dhe Evropën Qendrore si një e tërë, të cilën ai e përshkroi si një largim drastik nga administrata e mëparshme.

Administrata Obama ishte "më kritike ndaj rrëshqitjes së Hungarisë nga rruga e demokracisë ", thotë analisti Hamilton i Universitetit Johns Hopkins. Ndërsa kritika e administrates Trump, thotë ai, "është drejtuar më shumë ndaj lidhjeve të Hungarisë me Kinën dhe Rusinë sesa ndaj çështjeve të brendshme".

Qeveria hungareze, e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban, shpesh ka theksuar nevojën për "mbrojtjen e kulturës evropiane të krishterë", si dhe nevojën për "frenimin e migracionit". Pavarësisht nga fitoret e tij elektorale, zoti Orban gjithashtu ka një numër të konsiderueshëm kritikësh, vendas dhe të huaj, përfshirë edhe pastorin që kryesoi ceremonitë për dasmën e zotit Orban dhe pagëzoi dy fëmijët e tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG