Lidhje

Çfarë pritet nga zgjedhjet në Izrael


Izraelitët u drejtohen nesër kutive të votimit për të zgjedhur mes kandidatit të vijës së ashpër, Kryeministrit Benjamin Netanyahu, dhe atij të qendrës, ish-shefi i shtabit të ushtrisë, Benny Gatz. Asnjë nga kandidatët nuk pritet të fitojë një shumicë të qartë dhe do të jetë i nevojshëm krijimi i një koalicioni qeverisës. Siç njofton nga Jeruzalemi korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, zgjedhjet shihen si një referendum për zotin Netanyahu.

Benny Gantz shfaqet shtatlartë ndërsa kalon përmes mbështetësve në hollin e partisë së tij “Bardhë e Blu”, për t’iu premtuar atyre fitoren.

“Do të bëhem banor i Jeruzalemit. Ruajuni!”, deklaroi nga podiumi zoti Gantz.

Ndërsa mbështetësit e tij janë entuziastë, anketimet më të fundit e tregojnë partinë e tij kokë-më-kokë me partinë “Likud” të Kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Zoti Netanyahu ka theksuar gjatë fushatës eksperiencën e tij dhe lidhjet me udhëheqësit botërorë, në veçanti Presidentin Donald Trump.

“Izraeli është bekuar duke patur shumë miq në Zyrën Ovale. Por, Izraeli nuk ka patur kurrë një mik më të mirë se ty”, iu drejtua Presidentit Trump zoti Netanyahu.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, zoti Netanyahu lavdëroi vendimin e Presidentit Trump për t’u larguar nga marrëveshja bërthamore me Iranin, si dhe hapat e tjera të ndërmarra në mbështetje të Izraelit.

Gershon Baskin, analist me gazetën “Jerusalem Post”, thotë se shumica e zgjedhjeve në Izrael janë rrotulluar rreth mundësisë për një marrëveshje paqeje me palestinezët. Por, nuk është kështu këtë radhë.

“Prej shumë vitesh tashmë nuk ka patur më një proces paqeje. Që nga viti 2009, nuk ka patur më negociata me izraelitëve dhe palestinezëve, dhe çështja e paqes nuk përfshihet më në axhendën e Izraelit. Publiku izraelit ka pranuar tashmë variantin se nuk ka partnerë për paqe në anën palestineze. Kështu që as nuk diskutohet më kjo temë”, thotë zoti Baskin.

Disa prej reklamave eletorale të zotit Gantz trumbetojnë numrin e palestinezëve të vrarë në Gaza, gjatë periudhës që ai ishte shef shtabi, duke hedhur kështu poshtë akuzat e zotit Netanyahu se është një majtist i dobët.

Sipas anketuesit Khalil Shikaki, palestinezët nuk kanë shumë shpresa tek këto zgjedhje.

“Megjithëse ekziston një shpresë e zbehtë për ndryshim, shumica e palestinezëve mendojnë se në fund të ditës gjërat do të jenë njësoj, pavarësisht nëse fiton e djathta, qendra, apo e majta”, thotë zoti Shikaki.

Megjithëse zoti Gantz vazhdon të fitojë terren në elektoratin jashtëzakonisht të polarizuar izraelit, kjo nuk do të mjaftojë për t’i dhënë fitoren, thotë botuesi David Horovitz.

“Njerëzit mendojnë se po të fitojnë më shumë vende se partia tjetër, atëherë fitojnë zgjedhjet. Nuk ndodh kështu në Izrael, pasi këtu ekzistojnë koalicione të përbëra nga disa parti dhe zgjedhjet i fiton kush mund të ndërtojë koalicionin më të madh. Nuk duket sikur zoti Gantz dhe aleanca e partisë së tij ‘Bardhë e Blu’ do t’ja dalë mbanë”, thotë zoti Horovitz, botues i gazetës “Times of Israel”.

Fushata e zotit Netanyahu synon të bindë publikun se vetëm ai zotëron eksperiencën politike dhe forcën për të udhëhequr Izraelin, siç ka bërë gjatë 12 viteve të fundit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG