Lidhje

Betejat në Kongres për taksat e Presidentit dhe raportin Mueller


Këtë javë në Uashington pritet të intensifikohen betejat politike lidhur me publikimin e raportit të plotë të hetimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje si të informacionin mbi taksat personale të presidentit Donald Trump. Korrespondenti i i Zërit të Amerikës Michael Bowman thotë se demokratët kërkojnë publikimin e informacionit që lidhet me dyja çështjet, por po përballen me rezistencë nga republikanët si dhe avokatët e presidentit.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr pritet të publikojë një variant shumë të redaktuar të raportit të Robert Mueller-it që sipas zotit Barr, nuk gjeti fakte për një marrëveshje të fshehtë ndërmjet Moskës dhe zyrtarëve të fushatës së zotit Trump në vitin 2016 si dhe ishte neutral lidhur me çështjen nëse pati përpjekje nga presidenti për të penguar drejtësinë. Por kjo nuk i ka kënaqur demokratët.

"Ajo për të cilën ne flasim ka të bëjë me transparencën minimale. Le të sigurohemi që raporti i plotë i Mueller-it do të publikohet në Kongres, përfshirë dokumentet kryesorë dhe infomacionet e zbulimit, e pastaj të sigurohemi që populli amerikan të shohë sa më shumë nga ky raport sa më parë të jetë e mundur dhe sa më shpejt që të jetë e mundur", thotë senatori demokrat Mark Warner.

"Nuk e kemi parë raportin e Mueller-it, kemi parë vetëm një raport të Barr-it. Ne do të të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur për këtë, do ta kërkojmë me ngulm”, - thotë ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal.

Si për t’i shtuar benzinë zjarrit shtypi raportoi se anëtarët e ekipit të zotit Mueller besojnë se në përmbledhjen e tij prej katër faqesh mbi raportin, zoti Barr i ka ulur peshën informacioneve dëmtuese që janë siguruar mbi rrethin e brendshëm të zotit Trump.

Vetë zoti Trump ka thënë se raporti duhet të bëhet publik. Por sipas ekipit ligjor të presidentit, kjo çështje nuk është në dorë të tij apo kujdo tjetër përveç Prokurorit të Përgjithshëm.

"Në pajtim me rregulloret Prokurori i Përgjithshëm, bën përcaktimin se çfarë duhet të publikohet dhe si...procesi po bën përpara dhe mendoj se po ecën shpejt”, thotë Jay Sekulow, avokat i zotit Trump.

Ndërkohë, republikanët e Kongresit duan të dinë se çfarë e nxiti hetimin federal të fushatës së zotit Trump, një proces ky që nisi gjatë administratës së zotit Obama.

"Ajo që gjithashtu duhet të dimë është se si nisi e gjitha kjo, pasi mendoj se është shumë e rëndësishme që të mos bëjmë para, e pastaj të kthehemi pas, ku çdo parti që vjen në pushtet të përpiqet të përdorë aparatin qeverisës për të hetuar presidentin e mëparshëm", thotë senatori republikan Rand Paul.

Në të njëjtën kohë shumica demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve po kërkon të sigurojë qasje tek informacionet mbi taksat personale të presidentit Trump.

"Veçanërisht në këtë rast, ku keni një president që jo vetëm ka pasuri shumë të madhe, por ka marrë vendimin e pazakontë që ta kontrollojë atë. Këtu shtrohet një pyetje thelbësore, nëse interesat financiare personale të Presidentit ndikojnë në vendimmarrjen e tij publike", thotë ligjvënësi demokrat Dan Kildee.

Donald Trump-i është presidenti i parë i kohëve moderne që refuzon të bëjë publike të dhënat që lidhen me pagesën e taksave nga ana e tij. Republikanët kanë vënë në dukje se zoti Trump nuk është ligjërisht i detyruar ta bëjë këtë dhe akuzojnë demokratët për qëllime politike.

"Kjo çështje është e motivuar nga mospëlqimi i vazhdueshëm që demokratët kanë ndaj këtij presidenti. Motivohet nga zhgënjimi i tyre për humbjen e zgjedhjeve në 2016-n që ata mendonin se do t’i fitonin me lehtësi. Motivohet nga dëshira e tyre për të përdorur të gjitha burimet në dispozicion për të gjetur diçka, për ta rrëzuar këtë president" thotë senatori republikan Chuck Grassley.

Të dy betejat, si ajo për publikimim e raportit Mueller apo publikimi i informacioneve mbi pagesën e taksave nga ana e zotit Trump, ka të ngjarë të shkojnë në gjykatë, ndoshta në Gjykatën e Lartë amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG