Lidhje

Palmer në Tiranë: Opozita të riangazhohet në procesin politik


Në Shqipëri, Zëvendës Ndihmës Sekretari Matthew Palmer tha sot në Tiranë se nxiste partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik. Duke folur me një grup gazetarësh në Tiranë, zyrtari amerikan u shpreh se bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë mjete thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike, ndërsa shtoi se Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, e cila është një partnere e Shteteve të Bashkuara, me të cilën ato punojnë mirë dhe ngushtë.

Matthew Palmer në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

Vizita e Zëvendës Ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer u prit me një interes të veçantë në Shqipëri për shkak të situatës së rënduar politike, ndërsa ishin të shumtë ata që hoqën paralele me ndërhyrjen amerikane për zgjidhjen e krizës në vitin 2017. Por vetë zoti Palmer tha prerë sot se nuk kishte ardhur në Tiranë për të negociuar një zgjidhje, dhe as për të mbështetur një zgjidhje të caktuar, ndërsa pati takime me autoritetet më të larta të vendit që nga presidenti Ilir Meta, me kryeministrin Edi Ramadhe drejtuesit e opozitës.

Që prej muajit shkurt opozita është larguar nga parlamenti, duke hequr dorë në bllok nga mandatet e deputetëve të saj. “Mendoj se mjete si bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike. Prandaj do të nxisja partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik, dhe mendoj se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë. Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi”, u shpreh zoti Palmer.

Sipas tij, nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë do të ishte një fatkeqësi për opozitën. Kjo e fundit kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë zgjedhje të parakohshme, duke e konsideruar si parlamentin ashtu dhe qeverinë si ilegjitime. Por për zotin Palmer “Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, është një partnere e Shteteve të Bashkuara, me të cilën punojmë mirë dhe ngushtë. Institucionet e qeverisë janë funksionale, janë legjitime, Shqipëria nuk ka problem në marrjen e vendimeve, në miratimin e ligjeve, dhe unë kam besim se kjo qeveri do ta çojë vendin drejt një të ardhmeje europiane, do të jetë në gjendje të vazhdojë të veprojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi, në kryerjen e vetingut që është i rëndësishëm për t’u dhënë shqiptarëve besimin në administrimin e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse, përfaqësuesit e votuar, dhe zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë për të përmbushur këto qëllime dhe objektiva”.

Sa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, zoti Palmer u shpreh se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin ndonjë rezultat të caktuar apo ndonjë pjesë të caktuar përbërëse të një marrëveshjeje të mundshme: “Çështja e kufijve mund po ashtu të jetë pjesë e kësaj, por nuk është elementi kryesor i marrëveshjes sado që ta imagjinojmë këtë. Ajo që është e rëndësishme për SHBA është që çfarëdo marrëveshjeje të ketë pronësi vendase, të jetë diçka që të dyja palët ndjejnë se mund ta mbështesin, të dyja palët ndjejnë se mund ta shesin, të dyja palët besojnë se mbron interesat e tyre thelbësore, dhe ajo që kemi bërë ne është që i kemi nxitur palët të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden”.

Lidhur me influencën ruse në Ballkan ai u shpreh se synimet e SHBA dhe synimet e Kremlinit janë në themel në kundërvënie mes tyre. Ambiciet ruse janë më egoiste dhe përqendrohen tek krijimi i një mjedisi që Moska mendon se mund ta kapitalizojë; mendoj se kjo është e vërtetë për Shqipërinë siç është tjetërkund në Ballkanin Perëndimor, edhe nëse Shqipëria është një shënjestër më e vështirë për rusët se sa vendet që janë ndoshta pak më të hapura ndaj kësaj lloj influence malinje, theksoi zyrtari amerikan.

Reagimet e udhëheqësve shqiptarë ndaj bisedave me zyrtarin amerikan ishin të shkurtra dhe kryesisht përmes rrjeteve sociale. Të hënën në mbrëmje kryeministri bëri të ditur në Twitter se “marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer”. Po përmes Twitter-it kryetari demokrat Lulzim Basha e përshkroi takimin si një “bisedë e hapur dhe konstruktive me Matthew Palmer mbi situatën: mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pandëshkueshmëria, krimi, korrupsioni dhe kriza politike. Përkushtim i përbashkët për demokraci, shtetin e së drejtës dhe mirëqeverisjen si rruga e vetme për stabilitet dhe Shqipërinë në BE”. Ndërsa drejtuesja e Lëvizjes socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi foli shkurtimisht pas takimit: “Diskutuam për situatën dhe sigurisht që unë nuk jam e autorizuar që të flas për takimin. Zoti Palmer shprehu opsionet e veta nga këndvështrimet e tij. Ne shprehëm opsionet tona nga këndvështrimet tona. Sigurisht që përputhen për sa i përket raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër korrupsionit, për kapjen e shtetit, për të gjithë problemet e tjera, por është shumë e rëndësishme vazhdimi i mëtejshëm për zgjidhjen përfundimtare dhe për ti dhënë fund tranzicionit shqiptar. Shqipëria e ka vendin në BE”, deklaroi zonja Kryemadhi. Ndërsa presidenti Ilir Meta, zgjodhi Facebook-un, duke u shprehur për një “takim të hapur dhe miqësor me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Europën, Matthew Palmer mbi situatën e vështirë politike në vend dhe rrugëdaljet për të ecur përpara. Interes i ndërsjellë për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, që qëndrojnë në themel të partneritetit strategjik mes dy vendeve”, shkruajti zoti Meta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG