Lidhje

SHBA: Vullnetarët kujdesen për foshnjet e lindura para kohe


Ambjenti në një njësi të kujdesit intensiv për të porsalinsurit është tepër i veçantë, ndërsa ekipi mjekësor kujdeset për foshnjet e sëmura ose të lindura para kohe. Shumë prindër të tejlodhur dhe të dashurit e tyre nuk mund të qëndrojnë për 24 orë rresht me të porsalindurit e tyre; për këtë arsye, në një spital në Long Beach të Kalifornisë, vullnetarë të trajnuar shkojnë për të ndihmuar. Ata u ofrojnë foshnjeve kontaktin njerëzor, që është jetik për çdo fëmijë.

Reginaldi më në fund është gati të shkojë në shtëpi.

Ai lindi një muaj para kohe dhe kaloi disa javë në njësinë e kujdesit intensiv për prematurët. Carolyn Quijano, një nga vullnetaret në spital - kaloi shumë kohë duke e mbajtur në dorë dhe duke lëkundur Reginaldin kur nëna e tij nuk ishte atje:

"Më pëlqen shumë sepse janë kaq të ëmbël. Disa prej tyre kanë shumë nevojë, por të gjithë janë të mrekullueshëm. U jam shumë mirënjohëse prindërve që më lejojnë t'i mbaj e t'i përkund me orë të tëra foshnjet e tyre".

Vullnetarët si Carolyn Quijano janë kujdestarë profesionistë në Spitalin e Fëmijëve Miller, në Long Beach. Spitali i përzgjedh me kujdes vullnetarët, puna e të cilëve është t'u ofrojnë kontakt njerëzor të porsalindurve, ndërsa të dashurit e tyre nuk janë të pranishëm.

"Vullnetarët janë të moshave të ndryshme, nga 21 ndoshta deri 82 vjeç. Disa janë në pension, disa janë studentë, kemi burra, gra; ata kanë interesa nga më të ndryshmet, por interesi i tyre kryesor është se duan të ndihmojnë foshnjet. Ata i duan me të vërtetë foshnjet dhe kjo është arsyeja përse vijnë këtu", thotë koordinatorja e vullnetarëve.

Carolyn doli në pension disa muaj para se t'i bashkohej programit:

"Për rreth gjashtë muaj, nga qershori deri në dhjetor qëndrova në shtëpi: pastrova kuzhinën, dollapët, pastrova garazhin dhe pastaj i thashë vetes: e di çfarë? Tani do bëj punë vullnetare", thotë ajo.

Çdo sesion përkujdesjeje zgjat rreth 45 minuta. Pastaj një pushim dhe fillon sesioni tjetër.

"Nga ana fiziologjike kur një njeri mban një tjetër, të dyja palët lëshojnë hormonin endorfin. Pra, personi që kujdeset përfiton nga relaksimi i që jep lëshimi i këtij hormoni ndërsa foshnjet nga ana e tyre përfitojnë, duke patur më pak stres", - thotë koordinatorja.

Ky program 13-vjeçar bën që vullnetarët të ndjehen të nevojshëm, foshnjet ndjehen më mirë, prindërit po ashtu ndjehen mirë, ngaqë fëmijët janë nën kujdes të vazhdueshëm, edhe në mungesën e tyre.

"Nuk e dija që spitali ka program për vullnetarët. Një ditë kur shkova të shoh djalin dhe pashë që po e mbante një vullnetar, u ndjeva shumë mirë…"

Edhe spitale të tjera amerikane kanë programe të ngjashme vullnetarësh, që i ndihmojnë të porsalindurit prematurë të forcohen dhe të shkojnë në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG