Lidhje

Pres. Trump sulmon hetimet mbi ndërhyrjet ruse


Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ata që nisën hetimin rreth fushatës së tij të vitit 2016, tentuan një "grusht shteti" dhe se kishin kryer "tradhëti ndaj vendit" me qëllimin për të penguar fitoren e tij.

"Gjithçka ishte e paligjshme", tha zoti Trump duke pohuar se "ky vend është i uritur" që Prokurori i Përgjithshëm William Barr të kryejë hetimin që ai vetë ka shpallur mbi origjinën e hetimit të nisur tre vjet më parë nga Departamenti i Drejtësisë.

Udhëheqësi amerikan sulmoi ish-zyrtarët e departamentit të Drejtësisë dhe Byronë Federale të Hetimeve, duke i quajtur "policë të këqij", lidhur me rolin e tyre në fillimin e asaj që do të çonte në një hetim 22 mujor nga ana e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës Trump me Rusinë. Hetimi përfshinte gjithashtu edhe dyshimet nëse zoti Trump në detyrën e presidentit, kishte penguar drejtësinë duke u përpjekur të prishë hetimin.

"Ajo që ata kanë bërë ishte e turpshme", tha zoti Trump. "Ishte një hetim i paligjshëm, një tentativë për grusht shteti, një përpjekje për rrëzimin e një presidenti. Ajo që ata bënë ishte tradhti ndaj atdheut", shtoi ai.

Deklaratat e zotit Trump vijnë pasi Prokurori i Përgjithshëm Barr tha se në ditët e ardhshme do të publikojë një variant të redaktuar të raportit prej rreth 400 faqesh të Prokurorit të Posaçëm Mueller.

Në fund të muajit të kaluar, zoti Barr publikoi një përmbledhje të raportit dhe shkruante se presidenti Trump dhe zyrtarët e fushatës së tij nuk kishin bashkëpunuar me Rusinë dhe se raporti nuk dilte në ndonjë përfundim, nëse zoti Trump kishte penguar drejtësinë. Në një kohë kur Prokurori i Posaçëm nuk kishte arritur një përfundim mbi çështjen e pengimit të drejtësisë, zoti Barr tha se ai dhe zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein kishin vendosur se ndaj Presidentit nuk përligjej asnjë akuzë për pengim të drejtësisë.

Zoti Trump tha se ai nuk e ka lexuar raportin e zotit Mueller, ndërsa ka deklaruar se "se ka fituar, se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë apo pengim të drejtësisë”. “Raporti më ka shfajësuar totalisht”, ka thënë Presidenti.

Të mërkurën Prokurori i Përgjithshëm Barr u tha ligjvënësve në një komision të Senatit se ai beson se "përgjimi” i fushatë së zotit Trump në vitin 2016 “ka ndodhur" dhe se mbikqyrja është autorizuar nga gjyqtarë të gjykatës amerikane për Vëzhgimin e Zbulimit të Huaj.

"Mendoj se përgjimi i një fushate politike është një çështje e madhe" tha zoti Barr, i cili u caktua në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm nga zoti Trump. Zoti Barr tha gjithashtu se dëshiron të zbulojë nëse hetimi i fushatës së zotit Trump, në fazat e hershme të tij, ishte kryer "në mënyrën e duhur".

"Dua të sigurohem se nuk ka patur abuzim me pushtetin e qeverisë", tha ai.

Prokurori i Përgjithshëm dëshmoi të mërkurën për ditën e dytë me radhë. Demokratët i drejtuan atij pyetje të forta lidhur me publikimin e raportit të zotit Mueller dhe se çfarë pjesësh të raportit do të redaktonte, duke mos ia ofruar publikut dhe ligjvënësve. Sikurse të martën, zoti Barr tha se do të redaktojë duke mbuluar me të zezë, ato pjesë të raportit që përmbajnë dëshmi konfidenciale dhënë jurisë së madhe si dhe informacione nga burimet e zbulimit të huaj.

Të martën, ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve e kritikuan zotin Barr, duke lënë të kuptohej se në përmbledhjen që ai i kishte bërë raportit të zotit Mueller kishte vepruar për të mbrojtur zotin Trump nga pesha e plotë e përfundimeve të hetimit.

Shtypi ka raportuar se disa anëtarë të ekipit të zotit Mueller kanë pohuar se përmbledhja e zotit Barr nuk përmban informacionin i cili dëmton presidentin Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG