Lidhje

Pete Buttigieg do të kandidojë në 2020


Pete Buttigieg, kryebashkiaku i South Bend-it të shtetit të Indianës, ka bërë publik synimin e tij për të kandiduar për president në zgjedhjet e vitit 2020, duke iu bashkuar një numri të konsiderueshëm demokratësh që shpresojnë të jenë kandidatët zyrtarë të partisë. Zoti Buttigieg ishte praktikisht i panjohur në terrenin politik kombëtar disa muaj më parë, por aktualisht sondazhet tregojnë se mbështetja ndaj tij po rritet. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Esha Sarai njofton.

"Emri im është Pete Buttigieg. Ata më thërrasin kryebashkiaku Pete. Jam një djalë krenar nga South Bend-i i Indianës dhe do të kandidoj për president të Shteteve të Bashkuara".

Tridhjetë e shtatë vjeçari Pete Buttigieg është diplomuar në Harvard dhe Oksford. Ai është veteran i luftës në Afganistan dhe flet shtatë gjuhë.

Nëse zgjidhet, ai do të jetë presidenti më i ri në moshë i Shteteve të Bashkuara. Por në një dalje publike të kohëve të fundit në New Hampshire ai tha se mesazhi i tij, i cili përqendrohet tek e ardhmja e kombit, është një apel drejtuar të gjithëve.

"Ne po shohim njerëz të moshës si prindërit e mi, të cilët nuk do të donin asgjë më shumë sesa të mbështesnin një gjeneratë ndryshe që do t'i drejtonte sytë tek çështjet që do të kenë rëndësi në të ardhmen".

Por Pete Buttigieg do të ishte gjithashtu edhe presidenti i parë homoseksual i Amerikës. Burri i tij, Chasten, ka fituar gjithëaq zemrat e shumë votuese amerikanë.

"Sa i takon burrin tim, ju e dini që jam tejet i njëanshëm, sepse e dua, por është një gjë e jashtëzakonshme të shohësh që pjesa tjetër e Amerikës të bjerë në dashuri me të".

Ajo ç’ka i mungon Pete Buttigieg-it është përvoja politike në skenën kombëtare. Ai aktualisht shërben në detyrën e kryetarit të Bashkisë së South Bend-it, një qytet me më pak se 100 mijë banorë.

Por përkrahësit e tij nuk e shohin si problem.

"Ai ka qenë kryetar i bashkisë për gati tetë vjet. Mendoj se përvoja ekzekutive është e vlefshme për punës në qeveri dhe mendoj se përsa i përket përvojës legjislative, atë mund ta ndihmojë ekipi i tij", thotë Justin Tichy, banor i New Hampshire.

"Edhe pse nuk ka përvojë politike kombëtare, ai ka përvojë ekzekutive si kryetar i një qyteti dhe mendoj se kjo gjë e lidh shumë mirë me votuesit e tij", thotë Kim Phan, Pennsylvania.

Sondazhet e fundit tregojnë një rritje të mbështetjes ndaj tij në shtetet kyçe. Ai ka mbledhur dhe një shumë të admirueshme të ardhurash prej 7 milionë dollarësh në tremujorin e parë. Por nëse ai do ta ruajë këtë ritëm, mbetet ende për t'u parë.

"Ndonjëherë kandidatët kalojnë përmes disa javësh apo muajsh shkëlqimi dhe pastaj zëvendësohen me një tjetër kandidat. Ne e dimë që ai është i suksesshëm, por në këtë pikë nuk mendoj se e dimë nëse ai do të jetë një ylli i fushatës", thotë Leah Askarinam, gazetare dhe analiste politike për zgjedhjet.

Gjatë vitit të ardhshëm Pete Buttigieg duhet të konkurrojë ndaj të paktën 18 demokratëve të tjerë për t'u bërë kandidati zyrtar i partisë i cili do të garantonte për të larguar presidentin Donald Trump në vitin 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG