Lidhje

Mesazhe të përziera për krizën e imigrantëve


Uashingtoni vazhdon të përcjellë sinjale të përziera ndaj valës masive të imigrantëve në kufijtë jugorë të Amerikës me Meksikën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman, Presidenti Donald Trump ka bërë një numër propozimesh që nga mbyllja e kufirit deri tek transferimi i imigrantëve në zona me shumicë demokrate, ndërsa një numër rekord të ardhurish nga Amerika Qendrore shkojnë drejt veriut.

Vala e imigrantëve vazhdon të përshpejtohet, megjithë retorikën e ashpër të Presidentit Trump për imigracionin e paligjshëm dhe përpejkjet e pandalshme të Shtëpisë së Bardhë për të përforcuar barrierat fizike përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Së fundmi, zoti Trump është tërhequr nga kërcënimet për të mbyllur kufirin jugor, por ka hedhur një ide tjetër të paimagjinuar më parë: të dërgohen imigrantët në shtete dhe qytete të mëdha të qeverisura nga demokatët e opozitës.

“Kalifornia gjithmonë thotë se do më shumë njerëz. Duan më shumë njerëz në qytetet ku imigrantëve u jepet strehim. Ateherë u japim më shumë, një numër të pakufizuar. Të shohim a do t’u përlqejë”, tha ai.

Të ashtuquajturat “qytete strehë” nuk bashkëpunojnë me agjentët e imigracionit për të identifikuar dhe larguar imigrantët pa dokumenta në juridiksionin e tyre. Nëse zbatohet, ideja e zotit Trump, ka gjasa të shkaktojë sfida ligjore dhe ndoshta edhe kundërshtim brenda administratës së tij. Demokratët reaguan menjëherë.

“Është thjesht një ide tjetër që qëndron në nivelin e presidencës së Shteteve të Bashkuara”.

Scott Wiener është senator demokrat i legjislaturës së Kalifornisë

“Ne i mirëspresim imigrantët në San Francisco … Imigrantët e përmirësojnë komunitetin tonë dhe nëse Donald Trumpi do të ‘na ndëshkojë’ duke sjellë imigrantët këtu, ne do të hapim portën dhe do t’I mirëpresim”.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar.

“Është vetëm një alternativë …në rastin më të mirë, nuk do na duhej të merreshim me fluksin masiv të imigrantëve të paligjshëm nga kufiri, një krizë e sigurisë kombëtare dhe humanitare. Nëse demokratët ndihmojnë presidentin për të përmirësuar ligjin, e gjitha kjo do të eliminohej”, tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Gjatë dy viteve të para të mandatit të Presidentit Trump, kur republikanët kontrollonin dy dhomat e Kongresit, nuk u realizuar asnjë reformë imigracioni. Në vitin 2013, Senati që atëherë drejtohej nga demokratët, miratoi një paketë të gjerë reformash, që nuk u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve në atë kohë nën kontrollin e Republikanëve.

Sot, vetëm një vendim ekzekutiv po zbatohet: ngrirja e ndihmës amerikane për tri vende të Amerikës Qendrore.

“Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar qindra miliona dollarë në përpjekje për të gjetur zgjidhje për El Salvadorin, Guatemalëm dhe Hondurasin. Shihet qartë, është një fakt i kësaj krize në kufirin jugor, që nuk ka qenë efektive, prandaj ne po ndërmarrim hapin ta ndryshojmë”, tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.

Demokratët thonë se ndërprerja e ndihmës do t’i keqësojë kushtet në Amerikën Qendrore, duke shkaktuar rritjen e valës së të ikurve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG