Lidhje

Shkarkohet kryegjyqtarja e Gjirokastrës Albina Spaha


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të hënën Kryetaren e Gjykatës së Faktit të Gjirokastrës Albina Spaha, pasi u gjet me probleme në kriterin e pasurisë, një nga tre kriteret që shqyrtohen në procesin e vetingut për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Sipas relatores së komisionit Pamela Qirko gjatë hetimit administrativ u vlerësua se zonja Spaha nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe disa shuma në llogari bankare që rezultonin ndër vite me një bilanc negativ prej 6.3 milion lekësh.

Sipas relatores Qirko, vlera e një apartamenti të blerë në Tiranë në vitin 2007 ishte e ndryshme në deklarata të ndryshme duke variuar nga 44 mijë, 48 mijë dhe 55.3 mijë dollarë.

Sipas relatores në dyshime ishte edhe koha kur apartamenti ishte marrë në dorëzim nga familja e gjyqtares krahasura me periudhën kur ishin kryer pagesat. Zonja Spaha argumentoi nga ana e saj se ndryshimi i vlerës lidhej me ndryshimin e projektit fillestar dhe zvogëlimin e sipërfaqes që do të blihej prej saj.

“Apartamenti eshte blerë me para në dorë dhe pagesa është kryer e gjitha në një kohë para nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes në vitin 2007”, tha gjate seances zonja Spaha.

Lidhur me të ardhurat zonja Spaha nga ana e saj i vlerësoi gjatës seancës si pakujdesi mosdeklarimet dhe kërkoi që të përfshiheshin në analizën financiare të ardhurat e bashkëshortit.

Zonja Spaha e lidhi këtë argument me një situatë të ngjashme edhe të kolegëve të tjerë dhe fajësoi kompanitë e ndërtimit ku ishte i punësuar bashkëshorti e cila sipas saj nuk kishite paguar sigurime dhe tatimet për rrogat e plota të bashkëshortit.

Zonja Spaha është gjyqtarja e dytë nga Gjriokastra që del para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili ka konfirmuar pak kohë më parë në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri.

Gjyqtarja Albina Spaha e nisi karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998 duke punuar fillimisht në Gjykatën e Tepelenës dhe në vitin 2008 është emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Në vitin 2016 zonja Spaha u komandua kryetare e Gjykatës së Gjirokastrës pas shkarkimit të kryetarit të mëparshëm, Guximtar Boçi i cili u akuza për një skandal seksual, për të cilin gjykata e nxorri të pafajshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG