Lidhje

Ndihma humanitare dhe organizatat fetare amerikane


Organizatat humanitare fetare që marrin fonde të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të dhënë ndihmë në raste katastrofash në mbarë botën, kanë detyrimin të veçojnë ndihmën humanitare nga aktiviteti i misionarëve fetarë. Por, siç zbuloi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden gjatë pjesëmarrjes në një mision të organizatës “Samaritan’s Purse” në Mozambikun e goditur nga cikloni Idai, nuk është gjithnjë i qartë dallimi mes shpëtimit të jetëve dhe shpëtimit të shpirtrave.

Ekipi i ndihmës i organizatës “Samaritan’s Purse” (“Kuleta e Samaritanit”) në Beira të Mozambikut, e fillon ditën me një lutje. Udhëheqës i ekipit, Nick Bechert, i kujton në vazhdim ekipit se ndodhen aty për punë humanitare dhe fetare.

“Misioni ynë është të shpëtojmë jetë, të zvogëlojmë vuajtjen dhe të shpërndajmë shpresën e Jezu Krishtit”, thotë zoti Bechert.

Kjo është vetëm një nga organizatat humanitare me baza fetare që kanë ardhur në Mozambik, për të ndihmuar këtë rajon të varfër të Afrikës jugore të rimëkëmbet nga shkatërrimi që la cikloni Idai.

Por, për shkak se ky grup i krishterë merr miliona dollarë fonde nga qeveria amerikane, duhet të tregojë kujdes të mos shkelë ligjet federale që ndalojnë aktivitetin e rekrutimit fetar.

Organizata thotë se nuk e shkel kufirin ligjor mes të qenit të hapur për beismin e tyre dhe konvertimit të njerëzve.

“Përhapja e shpresës së Jezu Krishtit, për ne nuk do të thotë të konvertojmë njerëz apo të ndryshojmë formimin e dikujt dhe në veçanti jo e lidhur me nëse do të merrnin apo jo ndihma”, thotë zoti Bechert.

Por, disa kritikë nuk shohin një ndarje të qartë mes kishës dhe shtetit në këtë organizatë, e cila udhëhiqet nga udhëheqësi konservator evangjelist Franklin Graham që e ka quajtur fenë islame të ligë dhe që kritikon martesat e të njëjtës gjini.

“Sinqerisht kam shqetësime serioze për organizatën ‘Samaritan’s Purse’. Është një organizatë evangjeliste e krishterë tepër konservatore. Dhe mendoj se ka objektiv konvertimin e njerëzve në këtë stil të krishtërimit”, thotë Robert Boston, i organizatës “Amerikanët e Bashkuar për Ndarjen e Kishës dhe Shtetit”.

Zoti Boston thotë se fondet federale për ndihma në raste katastrofash u çelin rrugën edhe donacioneve private për misionarët fetarë. Ai gjithashtu kundërshton praktikën diskriminuese të punësimit të vetëm të krishterëve në këto vende pune të financuara nga buxheti federal, si dhe njoftimet e bëra në të kaluarën se kjo organizatë është përpjekur të konvertojë myslimanët në Indonezi.

Zoti Graham i tha rishtazi Zërit të Amerikës se puna e organizatës së tij është e ndërthurur me mandatin e saj fetar.

“Shikojmë si ti ndihmojmë njerëzit që po vuajnë dhe veprojmë kështu në emër të Jezu Krishtit. Përpiqemi që jo vetëm ti ndihmojmë, por edhe t’u përçojmë se Zoti i do dhe kujdeset për ta”, tha zoti Graham.

Megjithëse shqetësimet që shprehin grupet e të drejtave civile, disa presidentë amerikanë, republikanë dhe demokratë, kanë mbështetur gjithnjë e më shumë organizatat me baza fetare, madje edhe organizata bamirësie myslimane, me më shumë fonde dhe duke ulur kufizimet për mënyrën se si ato japin ndihmat humanitare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG