Lidhje

Maduro mban pushtetin, pavarësisht nga sanksionet kundër Venezuelës


Tre muaj pas përpjekjeve intensive të Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, udhëheqësi autokrat socialist vazhdon të jetë në pushtet. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden, administrata Trump mund ta ketë mbivlerësuar fuqinë e sanksioneve të ashpra për të detyruar ushtrinë venezueliane të braktisë Maduron.

Një embargo de fakto e Shteteve të Bashkuara mbi naftën e Venezuelës është duke ia shtuar dhimbjet ekonomike vendit të Amerikës Jugore ku miliona njerëz vazhdojnë të ikin nga mungesa kronike e ushqimit dhe shtypja.

"Embargoja nuk e ka krijuar krizën humanitare. Ajo u krijua nga qeveria venezueliane nën Nicolas Maduron, nga politikat e tij dhe keqmenaxhimi, korrupsioni e gjithçka tjetër. Ky është shkaku i krizës humanitare. Por situate përkeqësohet mendoj, me sanksionet ekonomike në fuqi, që janë shumë të forta", thotë Michael Shifter me organizatën Dialogu Ndër-Amerikan.

Pritshmëritë se udhëheqësi socialist Nikolas Maduro së shpejti do të detyrohet të japë dorëheqjen për shkak të sanksioneve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe presionit diplomatik duket se po veniten ndërsa kriza vazhdon.

Në janar, Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera njohën Juan Guaidon, kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, si udhëheqës të përkohshëm të vendit, pasi Maduro bllokoi kandidatët e opozitës në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Administrata Trump ndaloi shitjet e naftës venezueliane në Shtetet e Bashkuara që siguronte gati 90 për qind të valutës në vend.

Maduro ka përballuar presionin e shtuar ndërkombëtar dhe vazhdon të marrë mbështetje të rëndësishme nga udhëheqja ushtarake e Venezuelës që mund të ketë frikë nga ndëshkimi për abuzimet e së kaluarës, nëse opozita merr pushtetin.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu vendosën sanksione të reja ekonomike mbi Kubën, pjesërisht për shkak të mbështetjes së qeverisë Maduro me mijëra këshilltarë ushtarakë dhe të sigurisë.

Rusia gjithashtu ka rritur mbështetjen e saj për Maduron duke dërguar ndihma dhe personel ushtarak dhe duke bllokuar dënimin e qeverisë së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në të njëjtën kohë, bisedimet për një veprim ushtarak të mundshëm të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara janë venitur përballë rezistencës së fortë nga Brazili dhe Kolumbia, aleatët kryesorë në rajon.

"Këto vende kanë hequr vijën e kuqe. Janë për një qëndrim të fortë politik dhe diplomatik, por nuk janë të gatshëm të lejojnë përdorimin e forcës ".

Ndërsa sanksionet amerikane dhe protestat publike në rritje ende mund të sjellin ndryshim demokratik në Venezuelë, vështirësitë për shumicën e banorëve atje, nuk japin shenja se do të marrin fund së shpejti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG